Deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë zgjedhur kryeparlamentarin as në tentimin e 42-të. Vetëm 39 kanë votuar pro komisionit për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe seanca tani do të vazhdojë pas dy ditësh.
As nata s’kryen punë, Kuvendi nuk konstituohet as në tentimin e 42-të
Deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë zgjedhur kryeparlamentarin as në tentimin e 42-të. Vetëm 39 kanë votuar pro komisionit për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe seanca tani do të vazhdojë pas dy ditësh.
Dallimi këtë herë ishte se votimi u bë në një seancë të mbajtur në mbrëmje. Seanca e paraparë për paraditen e së shtunës, por u shty për shkak të një alarmi të rremë për bombë.
Në këtë seancë, kryesuesi Avni Dehari ua ndali fjalimet Ganimete Musliut të PDK-së dhe Jehona Lushakut të LDK-së, që kërkonin rikthim në votim të hapur.
Pas seancës, Hekuran Murati i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se votimi i fshehtë nuk është antikushtetues e as nuk ka ndryshim të rendit të ditës.
Nga partitë tjera nuk u deklaruan, ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Facebook shkroi që uron që Kushtetuesja ta rrëzojë sa më shpejt votimin e fshehtë.
Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë, por kanë dështuar për ta konstituuar Kuvendin. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë.
E më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i obligojë deputetët që për 30 ditë të konstituojnë Kuvendin. E aktgjykimi i Kushtetueses u interpretua ndryshe prej LVV-së dhe ndryshe prej partive të tjera. Përderisa VV-ja pretendon se vendimi konstaton që lejohet ndryshimi i mënyrës së votimit, e kundërta pretendohet nga partitë tjera.
Pas këtyre votimeve, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokatike i janë drejtuar sërish Kushtetueses.
Bogujevci: Rregullorja dhe Kushtetuta e lejojnë votimin e hapur dhe të fshehtë – opozita ta respektojë procedurën
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka thënë se procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është i përcaktuar qartë në rregulloren e Kuvendit dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar pa dilemë mënyrën e votimit.
“Është rregullorja e Kuvendit që përcakton shumë qartë procesin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë shumë qartë: mund të votohet në dy forma – në të hapur dhe në të fshehur”, tha Bogujevci para mediave.
Ajo kritikoi opozitën për mosrespektim të procedurave dhe për bllokim të procesit, duke theksuar se votimi është obligim dhe nuk mund të anashkalohet.
“Duhet t’i respektojmë procedurat. Njëra nga to është votimi. Njëra ndër to që është dashtë të respektohet nga opozita është votimi – dhe duhet të votohet. Ky është problem shumë i madh”, u shpreh Bogujevci.
Lushaku-Sadriu: Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar proceduralisht – presim të respektohet rendi i ditës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se interpretimi i bërë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me procesin e votimit në Kuvend është i qartë dhe se tani pritet që të respektohet rendi i ditës.
Ajo gjithashtu ka shprehur bindjen se institucionet e sigurisë duhet të garantojnë zhvillimin e punimeve të Kuvendit pa pengesa.
“Interpretimi jonë është që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar proceduralisht. Tani presim që të respektohet rendi i ditës ashtu siç është”, tha Lushaku-Sadriu.
Duke folur për alarmimin e sotëm për një kërcënim me bombë në ndërtesën e Kuvendit, ajo tha se pret që Policia dhe Prokuroria ta kenë të sqaruar situatën dhe të kenë burimet e nevojshme për të garantuar sigurinë.
Berisha: Unë do të reflektoj, do ta votoj këdo në votim të hapur
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka paralajmëruar një mocion për ndërrim të rendit të ditës për mënyrën e votimit për kryeparlamentar. Ai ka thënë se posa të arrihet kjo, ai do të votojë për cilindo kandidat në votim të hapur.
“Kjo situatë është bërë e tepërt dhe ne duhet të reflektojmë të gjithë. Duket se do të bëjmë mocion për çështjen e ndërrimit të votimit e kur të dalim në atë votimin e hapur do të reflektoj unë së pari sepse nuk dua në kurriz të Kosovës të mbaj hidhërim me askënd. As nuk ma determinon mendimin politik as opozita sepse s’jam opozitë se s’dihet kush do ta bëjë qeverinë, por do të shohim në momentin e parë të shohim si të dalim nga kjo situatë”, ka thënë ai në prag të përpjekjes së 42-të për konstituim të Kuvendit, që po mbahet në mbrëmje pasi gjatë ditës pati alarm të rremë për bombë.
“Ka qenë alarm i rrejshëm, por kur s’ka institucione për kohë të gjatë, mund të bëhen të vërteta”, ka thënë ai.
E kryetari i partisë së Berishës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për propozimin e deputetit të tij, por ka shtuar se “mirë ka thënë”.
Se a do të votojë edhe ai për këdo që del në votim të hapur për kryeparlamentar, Haradinaj ka shtuar “do të shohim kur të vijë momenti”.
Haradinaj ka thënë se pa ndryshim qëndrimesh nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, nuk mund të dilet nga kjo gjendje.
Alarmi për bombë në Kuvend ishte i rrejshëm
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka thënë se alarmi për bombë në Kuvend ishte i rrejshëm.
Ai ka shtuar se besojnë se personi i dyshuar mund të ketë qenë nga një shtet jomik. Kjo, sipas tij, ka ardhur bazuar në theksin e të dyshuarit gjatë telefonatës që ka zhvilluar.
“Ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa i përket rezultateve nga vendi i ngjarjes. D vazhdojmë sa i përket prejardhjes së thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, me gjuhën angleze, me theks që mendojmë se është të shteteve jomike”, ka thënë Zejnullahu.
Selimi pas kërcënimit me bombë: Serbia synon ta mbajë Kosovën në krizë të vazhdueshme
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, ka thënë se kërcënimi me bombë në Kuvend nuk duhet të shihet si rast i izoluar.
Siç ka thënë ajo, institucionet janë në shënjestër jo vetëm të akterëve brenda, por edhe të një strategjie të Serbisë që ta mbajë Kosovën në krizë.
“Kërcënimi i fundit me bombë në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk duhet të shihet si një rast i izoluar. Ky kërcënim vie në një kohë të acaruar e të tensionuar gjithandej. Institucionet tona janë në shënjestër jo vetëm nga individ apo mbetje të strukturave ilegale brenda vendit që nuk e duan stabilitetin institucional, por edhe nga një strategji më e gjerë e Serbisë për të mbajtur Kosovën në krizë të vazhdueshme”, ka shkruar ajo në Facebook.
Loshi: Dikush në anglisht tha se bomba është vendosur në Kuvend e se do shpërthejë për 10 minuta
Kushdo që ka qenë në ndërtesën e Kuvendit të shtunën është evakuuar pas alarmit për bombë, pak para nisjes së seancës konstituive.
Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, ka thënë se alarmi është bërë nga një person që ka kërcënuar në gjuhën angleze.
“Sipas njoftimit, është kërkuar evakuimi sepse në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë që një bombë është vendosë në ndërtesë dhe e njëjta do shpërthejë brenda 10 minutash”, ka thënë ai.
Seanca konstituive të shtunën do të vazhdojë në orën 20:00
Evakuohet ndërtesa e Kuvendit pas kërcënimit me bombë
(E përditësuar 12:15) - Në një njoftim më vonë, Policia e Kosovës ka thënë se kërcënimi ka ardhur përmes një sms-je.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet. Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në vendngjarje ka dalë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.
(11:05) - Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ku po planifikohej të mbahej seanca e radhës konstituive të shtunën është evakuuar për shkaqe sigurie, pas kërcënimit me bombë, ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Ka një kërcënim me gjasë, me bombë. Policia për shkak të masave të sigurisë, ka thënë se duhet të evakuohet stafi. Ka një kërcënim, nuk e di më tutje, Policia duhet të japë sqarime. Krejt çka na kërkun është me liru ndërtesën”, ka thënë Tahiri.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk beson që ka ndonjë rrezik për deputetët.
“Është tepër e pakuptimtë kjo çka po ndodh. Ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme me i largu deputetët nga Kuvendi. S’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin”, ka thënë ajo.
E në një përgjigje për KOHËN, Kuvendi e ka konfirmuar se po dyshohet për bombë të mundshme.
“Policia na ka njoftuar se ka marrë njoftim për alarm për një bombë të mundshme në hapësirat e objektit të Kuvendit. Për pasojë ka kërkuar evakuimin e objektit. Të gjithë janë jashtë. Për më tepër informata kontaktoni Policinë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se kërcënimi duket se është bërë përmes telefonatës.
"Kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu, të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi”.
Xhaferi: Inatet politike anash, nevojitet marrëveshje politike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka thënë se Kuvendin po e bllokon kryeneçësia politike. Ai ka shtuar se duhet rikthim në rendin e ditës sipas rregullores, e që të mos vazhdohet me përpjekjen për votimin e fshehtë.
Xhaferi ka theksuar se tanimë vetëm marrëveshja politike e zhbllokon situatën.
“Duhet inatet politike t’i lëmë anash, duhet marrëveshje politike për të dalë nga kjo situatë”.
Qalaj: LVV-ja qëllimisht po dëmton interesat e vendit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht nuk po e zhbllokon situatën në Kuvend.
Sipas tij, LVV-ja qëllimshëm po dëmton interesat e vendit.
“Çdo shtyrje e konstituimit është dëm i madh i vendit dhe siç po shihet nuk ka vullnet që situata të zhbllokohet nga VV-ja. Është veprim i qëllimtë për të dëmtuar interesat e vendit”, ka thënë ai para nisjes së seancës.