Kushtet e votimit

Përplasje politike mes anëtarëve të KQZ-së rreth procedurave të votimit

Mbledhja e fundit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, para votimit të së dielës për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore me shumicë serbe, është përcjellë me tensione.

Mospajtimet rreth organizimit të procesit nisën kur anëtari i KQZ-së, nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, e ngriti çështjen se përse nga 43 qendrat e votimit, numri ka renë në 23 tek doli kundër edhe qendrave alternative dhe kontejnerëve.

“Jemi kthyer në vitin 2009 me kontejnerë. Pse do të duhej? Mbi çfarë vlerësimi keni ardhur që me e mbajt procesin në kontejnerë dhe në qendrat e tjera alternative që edhe objektivisht nuk i plotësojnë kushtet? Pse është fuzionu në 23 dhe pse me duhet me pasë kontejnerë atje?”, ka thënë Gashi. 

Atij iu përgjigj anëtari nga LVV-ja, Alban Krasniqi, duke e ngritur dyshimin se ai ka interes që procesi të dështojë.

“Na deri qetash e patëm Listën Serbe që e kuptojmë pse dëshiron me e dështu procesin, por s’po e kuptoj cili është interesi juaj që me dështu procesin. Nuk e di por bonjau të ditur këtyre sepse nuk është hera e parë që benë makinacione artificiale dhe situata artificiale që me mujt me sjellë kështu një lloj rregullsie të punës që e kemi brenda këtij institucioni”, është shprehur Krasniqi. 

Ai përplasje pati edhe me anëtarin tjetër nga PDK-ja, Arianit Elshani e edhe me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, që bëri ndërhyrje.

“Kryetar është hera e fundit që ma ndërpret fjalën. Është e drejtë e imja. Është brenda kornizës. Kryetar nuk mund me ma ndërpre fjalën kur flas”, ka theksuar Krasniqi.

A kryetari Radoniqi e ka cilësuar të kërcënuese deklaratën e tij.

“Referenca hera e fundit që e the është mjaft kërcënuese. Është kërcënuese Alban. Është kërcënuese ndaj meje”.

Pas debatit, Sami Hamiti nga LDK-ja, pyeti sekretariatin e KQZ-së nëse votimi do të mbahet të dielën, sipas kushteve të parapara. 

“Pra a mund të fillohet nesër në 7 në mëngjes sipas të gjitha parashikimeve votimi?”, ka pyetur ai. 
Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, i ka treguar Hamitit se të dielën në orën 7 të mëngjesit do të fillojnë të hapën të gjitha qendrat e votimit. 

Për votimin në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë e Veriut, të drejtë vote në kanë gjithsej 46 mijë e 556 qytetarë.