Arbëri

Personat me aftësi të kufizuara apelojnë për rritje të mbështetjes nëpërmjet buxhetit të 2026-s

Personat me aftësi të kufizuara

Persona me aftësi të kufizuara, e edhe përfaqësues të shoqatave që ata përfaqësojnë, kanë alarmuar se projektbuxheti i 2026-s nuk përmban rritje të mbështetjes për këto kategori. Ata u kanë bërë thirrje deputetëve që gjatë shqyrtimit të buxhetit, t’i marrin në konsideratë nevojat më bazike të këtyre personave

Në kohën kur projektligji për buxhetin e vitit 2026 është proceduar për miratim në Kuvend, personat me aftësi të kufizuara kanë kërkuar që gjatë shqyrtimit të tij të ofrohet më shumë mbështetje.

Pensioni për një person paraplegjik ose tetrapelgjik që hyn në grupin e parë, aktualisht është 180 euro për individin, 180 euro për kujdestarin personal dhe 75 euro për medikamente. Kjo vlerë zvogëlohet në varësi të nivelit të aftësisë.

Një nga qytetarët që është i lidhur për karroce ka kërkuar nga ligjvënësit që me buxhetin për sivjet, të rritet vlera e kompensimit dhe të njihet e drejta për dy kujdestarë.

“Njohja e së drejtës për dy kujdestarë personalë, sidomos për personat tetraplegjikë, pasi që për këtë kategori kujdesi 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, është i domosdoshëm”, ka thënë Valon Osmani.

Paraplegjikët, tetraplegjikët dhe të verbrit përmes ndryshimeve ligjore në 2022 janë privuar nga e drejta për të pasur pension në nivelin e pagës minimale, që aktualisht është 425 euro.

Pensioni mujor për të verbrit është 150 euro.

Sipas drejtorit të Shoqatës së të Verbërve, Daut Tishukaj, këto të ardhura janë të pamjaftueshme për nevojat bazë.

“Kompensimi në vlerë 150 euro për të verbrit është një simbolikë, sepse verbëria ka sfida të mëdha”, ka thënë Tishukaj. “Nevojat janë shumë të mëdha. Nëse dëshiron të blesh ndonjë pajisje, ato janë shumë të kushtueshme, kështu që kjo vlerë është simbolike”.

Ndryshimet ligjore tani parashohin që Qeveria të vendosë për vlerën e kompensimit, sipas mundësive buxhetore dhe kostos së jetesës. Por, Tishukaj u shpreh kritik në Qeverinë që deri tash këtë nuk e ka bërë, ndonëse ka pasur rritje inflacioni.

Edhe fëmijët me aftësi të kufizuara marrin 150 euro në muaj.

Në Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuar, kërkuan që buxheti për 2026-n të rishikohet dhe të përfshijë rritje sipas inflacionit dhe nevojave reale të kësaj kategorie.

“Qeveria duhet ta rishikojë ngritjen që është konform mundësive që ka shteti, duke marrë parasysh kushtet me të cilat po ballafaqohen fëmijët me aftësi të kufizuara, apo prindërit e tyre, e në përgjithësi personat me aftësi të kufizuara. Uroj që projektligji për vitin 2026 të ketë një ngritje të caktuar, bazuar në nevojat të cilat realisht i kanë personat me aftësi të kufizuara, por mbi të gjitha bazuar në inflacionin në vend”, ka thënë Bujar Kadriu, drejtor i Forumit Kosovar për Aftësi të Kufizuara.

Ministria e Financave nuk ka sqaruar nëse do të ketë rritje të pensioneve për personat me aftësi të kufizuara.

Projektbuxheti i 2026-s do të shqyrtohet të hënën në Kuvend. Bazuar në të, për personat e verbër parashihet rritje e buxhetit total prej 400 eurosh, për paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk ka ndryshim, ndërsa për skemën e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë shtuar 1 mijë e 450 euro dhe 8 mijë e 850 euro për pensionet e aftësisë së kufizuar.