Arbëri

Përurohet çerdhja në lagjen “Kalabria” me kapacitet për 120 fëmijë

Në lagjen “Kalabria” të kryeqytetit është përuruar çerdhja e re me bazë në komunitet, me kapacitet për 120 fëmijë.

Çerdhja e ndërtuar me financim të Komisionit Evropian, sipas kryetarit Shpend Ahmeti, është investim i rëndësishëm për fëmijërinë e hershme, raporton KTV.

“Edhe një çerdhe e mrekullueshme në komunë. Të hënë do t’i kemi 85 fëmijë, kapaciteti i tërë është 120 fëmijë, në një hapësirë prej 1 mijë metra katror. Intervenimi në fëmijërinë e hershme është intervenimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë. Çerdhja ka kushtuar mbi 600 mijë euro”, tha Ahmeti.

{gallery}

Ahmeti ka thënë se bashkë me Komisionin Evropian, çerdhen e radhës do ta ndërtojnë në lagjen “Dardania”.

Ndërsa vetëm si komunë, Ahmeti ka premtuar nga një çerdhe në Kolovicë dhe Veternik.

Zv. Shefi i Zyrës së BE-së, Luigi Brusa, ka thënë se në gjithë Kosovën do t’i ndërtojnë edhe 6 çerdhe.

“Kjo është për të ardhmen e Kosovës për fëmijët. Së shpejti do të kemi edhe 6 kopshte te reja që do të financohen në Kosovë dhe kjo tregon përkushtimin ndaj Kosovës. Kjo ndërtesë është me standarde të mira. Po investojnë në shkolla dhe Termokos ku ngrohtorja është lidhur me këtë lagje. 50 milionë euro kemi investuar në arsim nga 2013 deri më 2019 dhe kjo tregon se ne i besojmë popullit të Kosovës, brezave të ardhshme”, tha Brusa.

Brusa ka shtuar se të gjitha këto investime i kanë bërë për ta lehtësuar rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

85 fëmijët e parë do të shfrytëzojnë çerdhen nga e hëna e javës së ardhshme.