Pesë persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “cenim të vullnetit të lirë të votuesve” në komunën e Graçanicës, gati dy javë para mbajtjeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të martën se, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë, ka ndërmarrë veprime hetimore pas raportimeve në media dhe deklarimeve të ministrit në detyrë për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me kërcënimin e votuesve në këtë komunë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Prokurorisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar pesë shtetas të Republikës së Kosovës, të nacionalitetit serb, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Në njoftim thuhet se janë siguruar deklarata dhe prova të mjaftueshme që ngrenë dyshime për përfshirjen e tyre në veprime të kundërligjshme që ndërlidhen me këtë vepër penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës dhe respektimin e rendit kushtetues e ligjor në Kosovë.
Sveçla: Kërcënimet ndaj votuesve në Graçanicë janë me direktiva të Serbisë
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se kërcënimet dhe presionet ndaj votuesve në Graçanicë burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, pas arrestimit të shtatë personave të dyshuar për “cenim të vullnetit të lirë të votuesve”.
Në një shkrim në Facebook të martën mbrëma, Sveçla ka thënë se zgjedhjet në Kosovë vazhdojnë të vlerësohen nga raportet ndërkombëtare për standardin e lartë të organizimit dhe garantimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, pavarësisht, siç u shpreh ai, bllokadave të qëllimshme politike.
Ai mirëpriti aksionin e institucioneve të sigurisë për arrestimin e shtatë qytetarëve të nacionalitetit serb në Graçanicë, të cilët dyshohen se kanë tentuar të ndikojnë te votuesit përmes kërcënimeve, presionit dhe shantazhit.
“Akte të tilla, që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë”, deklaroi Sveçla.
Sipas tij, institucionet e Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për frikësim të qytetarëve apo deformim të vullnetit politik.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të garantojnë që procesi zgjedhor të mbetet i lirë dhe i paprekur nga ndërhyrje të jashtme”, theksoi ai.