Janë bërë pesë vjet që nga publikimi i aktakuzës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Të katër ende mbahen në Hagë në paraburgim nën akuzën për krime lufte, teksa procesi ka kaluar te ekipet mbrojtëse.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Selimi and Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020. Të katër në paraqitjet e tyre janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Numri total i viktimave të pretenduara në këto çështje ishte rreth 150.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023. Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.
Më 16 korrik 2025, ekipet e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit njoftuan Trupin Gjykues se planifikojnë të paraqesin prova të Mbrojtjes. Ekipet e Mbrojtjes së Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan se nuk planifikojnë të paraqesin prova. Në dy javët e ardhshme pritet të deklarohet si dëshmitar i mbrojtjes edhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.
Së fundmi në Kosovë, Shqipëri e Hagë ka pasur protesta në kërkim të drejtësisë. Të katërve u është mohuar vazhdimisht kërkesa për t’u mbrojtur në liri.
Thaçi pati dhënë dorëheqje si president më 5 nëntor 2020.