Ish-pjesëtari i forcave serbe Sërgjan Lazoviq është shpallur fajtor për krime lufte. Trupi gjykues e shpalli përgjegjës atë për keqtrajtim dhe dëbim të popullatës civile shqiptare në Panorc të Malishevës dhe fshatrave përreth gjatë luftës në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të martën me 12 vjet e gjysmë burgim të akuzuarin për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq.
Trupi gjykues e shpalli serbin fajtor për dëbim e keqtrajtim të civilëve shqiptarë në kohën e luftës në Kosovë.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, ka thënë se ai dhe pjesëtarët e forcave serbe i kryen këto veprime pasi kishin qëllim spastrimin etnik.
“Me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe me qëllim frikësimin, dëbimin masiv dhe spastrimin etnik të popullsisë shqiptare ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psikikisht rreth 500 qytetarë të cilët nuk ishin të përfshirë në konflik”, ka thënë Vesel Ismaili, kryetar i trupit gjykues.
Ismaili ka theksuar se duke vlerësuar provat e propozuara nga të dyja palët është arritur në përfundim se Lazoviqi mori pjesë edhe në shkatërrimin e dëmtimin e pronave të shqiptarëve në Panorc të Malishevës dhe në fshatrat përreth.
Ismaili ka thënë se vendimi për dënim është marrë pas shqyrtimit të dëshmive, si videoincizimet nga vendi i ngjarjes, ekspertizat e Policisë, Forenzikës dhe provat e tjera.
“Nga dëshmia e dëshmitarëve të cilët i kemi dëgjuar gjatë shqyrtimeve gjyqësore, por edhe nga dëshmitë e tyre të dhëna në fazat e tjera është vërtetuar tërësisht se i akuzuari Sërgjan Lazoviq ka qenë pjesëmarrës në forcat policore dhe ushtarake serbe që kanë kryer arrestime, keqtrajtime shkatërrime dëbime dhe plaçkitjen e popullatës civile në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës dhe të fshatrave të tjerë përreth... Nuk u vërtetua në rastin konkret pati ndonjë provë direkte apo indirekte që të akuzuarin Sërgjan Lazoviq për veprën për të cilën akuzohet”, ka thënë Ismaili.
Avokati i Lazoviqit, Predrag Milkoviq, ka paralajmëruar se do të parashtrojë ankesë kundër aktgjykimit.
Prokuroria Speciale më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Sërgjan Lazoviq, për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në disa fshatra të Komunës së Malishevës.