Arbëri

Plagosja e ushtarit në Sharban, FSK-ja thotë se ishte aksidentale dhe jashtë ambienteve të saj

FSK

Foto: Ilustrim

Një ushtar i FSK-së është plagosur të dielën në fshatin Sharban të Prishtinës. Ushtari është jashtë rrezikut për jetë. 

Nënkoloneli Vëllazërim Qerimi, shef i sektorit për informim publik në FSK, ka thënë për KOHËN se rasti ka ndodhur aksidentalisht dhe ishte jashtë ambienteve të FSK-së. Po ashtu ka njoftuar se nuk është përdorur një armë zyrtare e FSK-së. 

Në këtë rast janë përfshirë dy ushtarë të FSK-së. 

“Ju njoftojmë që rasti ka ndodhur aksidentalisht jashtë ambienteve të FSK-së, arma e përdorur nuk është zyrtare e FSK-së dhe momentalisht rasti është në procedurë të hetimit”, ka njoftuar Qerimi. 

Policia e Kosovës kishte njoftuar për rastin të dielën, ndonëse nuk kishte cekur se bëhet fjalë për ushtarë të FSK-së. 

“Sot rreth orës 14:30, Policia ka pranuar informatën për plagosje me armë zjarri në fshatin Sharban në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend është plagosur një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë pë rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Naser Syla, drejtor i Emergjencës pranë QKUK-së, tha për KosovaPress, se gjendja e pacientit është jashtë rrezikut për jetë dhe se ai po vazhdon të merr trajtimin mjekësor në Klinikën e Ortopedisë.