Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Plenkoviq qetëson Vuçiqin: Aleanca me Kosovën dhe Shqipërinë nuk është e drejtuar kundër Serbisë

Andrej Plenkoviq & Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar të enjten se gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq i ka adresuar shqetësimet e Serbisë lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, shkruan “Index.hr". 

Plenkoviqi i shpjegoi Vuçiqit gjatë takimit në New Delhi se bashkëpunimi mes të tri vendeve është i fokusuar në aspektin teknik dhe jo i drejtuar kundër Serbisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne kemi hequr dilemat që kuptuam se ekzistonin në Serbi sa i përket bashkëpunimit mes ministrive të mbrojtjes të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë. I shpjegova se ky bashkëpunim është i fokusuar në aspektin teknik ndërmjet institucioneve tona dhe nuk është në asnjë mënyrë i drejtuar kundër Serbisë. Nga ajo që pashë në deklaratën e tij, duket se kjo tashmë është pranuar”, ka thënë Plenkoviq për gazetarët në margjinat e Samitit për Inteligjencën Artificiale në New Delhi.

Vuçiqi deklaroi një ditë më parë se Plenkoviqi i kishte thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë. Ai ka thënë për mediat në Beograd, po ashtu nga New Delhi, se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë me kryeministrin kroat dhe se për herë të parë kishin diskutuar për atë që ai e quajti “aleanca ushtarake e Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës”.

Më herët, Vuçiqi kishte deklaruar në një konferencë në Gjermani se kërcënimi më i madh për Serbinë ishte pikërisht kjo “aleancë ushtarake”.

Vitin e kaluar, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila u tha se synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve mike.