Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka mbështetur propozimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për faljen e 100 eurove të para të tatimit në pronë.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se ky propozim do të paraqitet qysh në mbledhjen e parë të Komitetit për Politikë dhe Financa.
“E mbështes plotësisht propozimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, që përmes ligjit në Kuvend, të bëhet falja e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit. Andaj qysh në mbledhjen e radhës së Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Podujevës, e cila do të mbahet të hënën do ta propozoj si pikë shtesë për t’i rekomanduar Kuvendit Komunal shqyrtimin dhe miratimin e këtij propozimi për në seancën e 31 janarit”, ka shkruar Shpejtim Bulliqi.
Thirrje të seancave të jashtëzakonshme për këtë çështje kanë paralajmëruar edhe kuvendarët e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit.
Nëpërmjet Facebookut, qendra e VV-së në Obiliq shkruan se grupi i kuvendarëve komunalë nga të hënën në mëngjes, do të dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.
“Falja e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e komunës tonë për vitin 2023. Duke patur parasysh kornizën ligjore të ligjit aktual për tatimin në pronë dhe me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, grupi ynë kuvendar, fton të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që ta nënshkruajnë këtë kërkesë dhe ta mbështesin këtë nismë”, shkruat në këtë postim.
I njëjti postim është publikuar edhe në faqen e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë dhe atë të Prishtinës më herët.