Arbëri

Podujeva i fton qytetarët që t’i paraqesin dëmet nga vërshimet

Komunarët e Podujevës i kanë ftuar qytetarët e kësaj komune që t’i lajmërojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet që ndodhën javën që shkoi.

Sipas një njoftimi të Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim tashmë është formuar Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë.

“Si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut ditëve të fundit, shumë fshatra e zona urbane të Komunës së Podujevës janë përballur me vërshime dhe me qëllim të evidentimit të të gjitha dëmeve të shkaktuara është krijuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Komuna e Podujevës fton qytetarët që janë dëmtuar nga vërshimet të paraqesin kërkesat për kompensim të dëmit në objektin e administratës komunale në sportelin e shërbimit me qytetarë”, thuhet në njoftimin e ZMPI.

Bazuar në kërkesat e qytetarëve, sipas zyrtarëve komunalë, Komisioni Komunal do të dalë në teren dhe do ta shqyrtojë secilën kërkesë dhe pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore komisioni do t’i rekomandojë institucioneve qendrore kompensimin e dëmeve për qytetarët e Komunës së Podujevës”, përfundon njoftimi.

Pas reshjeve të ditëve më parë, shumë pjesë të Komunës së Podujevës janë përmbytur nga uji që kishte dalë nga shtretërit e lumenjve dhe përroskave. Uji ka depërtuar edhe nëpër shtëpi, ndërkohë që dëme janë shkaktuar në ekonomi familjare, infrastrukturë publike dhe të mbjella.

{gallery}