Arbëri

Podujeva e gatshme të marrë përsipër shpenzimet për trajtimin e dy pacientëve në Qendrën e Shtimes

Komuna e Podujevës është shprehur e gatshme të marrë përsipër shpenzimet që nevojtimet për tretman të dy pacientëve që të martën janë dërguar për trajtim në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime. Këta dy pacientë çdo ditë kanë qëndruar rrugëve të Podujevës pa përkujdesje institicionale. Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, ka thënë se dërgimi i tyre në Shtime është bërë pas insitimit të organeve komunale për një gjë të tillë.

“Pas takimit që ka zhvilluar në muajin janar kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, me drejtorin e Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, ku është diskutuar mundisa e transferimit për në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime të dy pacientëve me probleme mentale në Komunën e Podujevës, si dhe pas insistimit dhe këmbënguljes së kryetarit Bulliqi që të bëhet transferimi sa më parë i dy pacientëve, F. B dhe G.C, ata sot janë transferuar në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime”, ka thënë Fatri Zhitia. “Komuna është e gatshme t’i kryej të gjitha obligimet e saj që i takojnë sa i përket shpenzimeve për tretmanin që iu ofrohet dy pacientëve, nëse kjo kërkohet”.

KOHA ka raportuar edhe herë të tjera për F.B. dhe G.C. dhe për persona tjerë me probleme mendore që bredhin rrugëve të Podujevës. Në vitin 2017 stafi i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nuk e kishte zbatuar urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës-Dega në Podujevë për të marrë në trajtim spitalor të sëmuren mentale, F.B. nga Podujeva, me arsyetimin se ka mungesë të shtretërve. Ndërkohë, në maj të vitit të kaluar KOHA kishte raportuar se si të sëmurët mendorë në këtë komunë kishin mbetur pa asnjë përkujdesje. Për shkak të bartjes së ushqimeve me vete, këta persona pothuajse çdoherë janë të shoqëruar nga qentë endacakë, të cilët mund të jenë të rrezikshëm për kalimtarët e sidomos fëmijët. Rastet më të rënda llogaritet se kanë qenë dy personat që sot janë transferuar për trajtim në Shtime.