Arbëri

Policia autorizohet për mbledhjen e informatave për votat me postë të LDK-së

Prokuroria Themelore është duke mbledhur informata për rastin e denoncuar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me dyshimet për dallavere të rreth 15.000 votave në favor të Lidhjes Demokratike. Kur LVV-ja ka denoncuar rastin në mars të këtij viti, gishtin e ka drejtuar nga ish-deputeti Shkumbin Gashi, i cili është gjykuar për keqpërdorim të së drejtës së votimit në zgjedhjet e 2021-tës. Ai është liruar, derisa katër të tjerë janë dënuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë gati gjysmë viti pas denoncimit të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka dhënë epilog mbi vërtetësinë e pretendimeve për manipulim me vota nga ana e Lidhjes Demokratike, por ka konfirmuar për KOHËN se është në proces të mbledhjes së informatave, që nënkupton se po zhvillohet një hetim paraprak. 

VV-ja, në mars të këtij viti pati denoncuar LDK-në me dyshimin për manipulimin e rreth 15.000 votave me postë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar këtë çështje dhe ka lëshuar autorizimin për Policinë e Kosovës, me qëllim të mbledhjes dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme në lidhje me rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Disa kandidatë nga LDK-ja ishin renditur në 12-shen e parë me votat me postë, ndërsa morën shumë më pak vota në format e tjera të votimit, si votimi në vendvotime të rregullta apo votimi në konsullata. 

Sipas Vetëvendosjes, “shpërthimi” i disa kandidatëve nga votimi me postë, e që disa prej tyre edhe arritën të bëhen deputetë, është jashtë çdo logjike.

Kandidatët nga lista e LDK-së si Hysen Çekaj (deputet), Bahrije Hyseni, Alban Zogaj (deputet), Jeta Rafuna-Hasani, Fatmir Asllani, Qëndrim Softolli dhe Berat Rukiqi patën dalë ndër më të votuarit në votimin me postë. 

Në këtë grup ishte edhe Gazmend Muhaxheri, i vetmi që kishte dalë ndër 12 më të votuarit edhe në mënyrat e tjera të votimit. 

Zyrtarët e LVV-së kanë pretenduar ndër të tjera se Shkumbin Gashi i cili ka pozitë në LDK për çështjet e diasporës, ishte koordinator i dallavereve me vota, pasi ai u gjykua për manipulimin e votave të procesit zgjedhor të 2021-tës. Në atë rast, Shpëtim Shala, Kastriot, Milot e Dardan Blakaj janë dënuar për keqpërdorim të së drejtës së votimit.

E, ish-deputeti Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj janë liruar nga akuzat si në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ashtu edhe në Apel. 

Për akuzat e VV-së të këtij viti, LDK-ja ka pretenduar se ato janë pasojë e rezultatit zgjedhor. 
Për zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, LVV-ja është ankuar për parregullsi në votat me postë, si në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ashtu edhe në Gjykatën Supreme, por ankesa i është refuzuar.