Me incidente ka nisur festivali i birrës në kryeqytet.
6 persona janë shoqëruar për në Stacionin policor, e 2 prej tyre kanë marrë lëndime trupore në natën e parë të festivalit Beer Fest.
Gjatë intervenimit të policisë, një person ka penguar një zyrtar policor në kryerjen e detyrës dhe, për rrjedhojë, është thirrur në intervistim.
Sipas organizatorëve të festivalit, çdo person i moshës mbi 18 vjeç mund të hyjë në festival dhe secili kontrollohet në prani të zyrtarëve të policisë nga rojet e sigurimit.
Ndërkaq, qytetarët thonë se janë pro festivaleve, por që duhen shtuar sa më shumë masat e sigurisë.
Festivali do të vazhdojë edhe për 3 net të tjera.
Në një vendim të Komunës së Prishtinës, të cilin e ka siguruar televizioni, festivali do të jetë i hapur deri në mesnatë, gjë kjo në kundërshtim me Ligjin për prishje të rendit dhe qetësisë publike, i cili potencon se gjatë ditëve të javës, askush nuk mund të shkaktojë zhurmë pas orës 22:00.
Komuna, në lejen e saj ka dhënë pëlqim për punë deri në mesnatë, edhe gjatë vikendit, ndonëse ligji e parasheh orën 23 si të fundit.
E për këtë, Policia e Kosovës ka kërkuar nga komuna që inspektorët të jenë prezentë dhe ta vëzhgojnë gjendjen nga afër.
Incidente të tilla ka pasur edhe gjatë festivalit “Beer and Wine Fest” i cili është mbajtur javë më parë, por që ministri në dorëheqje i Tregtisë, Endrit Shala, e mbylli për shkak të shkeljes së ligjeve.