Profesoresha e politikës në Universitetin e Hamburgut, Elvira Rosert, përmend dy rezoluta të OKB-së (1160 dhe 1199), me të cilat u legjitimua ndërhyrja në Kosovë edhe me mjete ushtarake. Këto dy dokumente janë një argument shtesë kundër propagandës që Rusia po e përdor në rastin e Ukrainës duke apostrofuar Kosovën.
Pas pushtimit të Krimesë më 2014 Vladimir Putini përmendi deklaratën e pavarësisë së Kosovës për të arsyetuar agresionin e tij ndaj Ukrainës. Para agresionit ndaj Ukrainës që filloi më 24 shkurt 2022, Putin prapë e përmendi Kosovën, ku, sipas tij, Perëndimi paskësh shkelur të drejtën ndërkombëtare duke “bombarduar Beogradin”.
Këto deklarata të diktatorit rus janë larg të së vërtetës, por, fatkeqësisht, në qarqet e ekstremit të majtë dhe të djathtë në Perëndim ka politikanë e gazetarë që mendojnë si Putini.
Këto qëndrime i ka kundërshtuar tani Profesoresha e politikës në Universitetin e Hamburgut, Elvira Rosert. Në një postim në Twitter ajo përmend dy rezoluta të OKB-së (1160 dhe 1199), me të cilat u legjitimua ndërhyrja në Kosovë edhe me mjete ushtarake. Këto dy dokumente janë një argument shtesë kundër propagandës që Rusia po e përdor në rastin e Ukrainës duke apostrofuar Kosovën.
Sipas Rosert, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi në mars 1998 rezolutën 1160 mbi situatën në Kosovë. Rezoluta u miratua sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së. Këshilli i Sigurimit vendosi që, bazuar në Kartën e OKB-së, të legjitimohet edhe përdorimi i forcës ushtarake, krahas mjeteve të tjera, për të rivendosur paqen në Kosovë. Pastaj në shtator 1998 Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi rezolutën 1199, e cila e klasifikonte situatën në Kosovë si kërcënim për paqen ndërkombëtare.
“Në rezolutën 1199 Këshilli i Sigurimit përsëriti se po vepronte sipas Kapitullit të VII dhe formuloi kërkesat ndaj qeverisë jugosllave dhe udhëheqjes kosovare – me paralajmërimin se do të ndërmarrë masa të tjera nëse nuk plotësohen këto kërkesa”, shkruan Rosert.
Sipas politologes gjermane, Rusia i miratoi të dyja këto rezoluta. Presidenti i Rusisë atëbotë ishte Boris Jelcini, ndërsa ambasador në OKB Sergej Lavrovi, aktualisht ministër i Jashtëm rus. Lavrov, sipas Rosert, ishte aktiv në trajtimin e konfliktit dhe i gatshëm t’i bëjë presion Sllobodan Millosheviqit, me përjashtim të përdorimit të forcës ushtarake. “Ndërsa nga fundi i prillit 1999 dhe fillimi i vitit 1999 kishte shenja se NATO po shqyrtonte opsione ushtarake, të cilat në rastin ideal do të mandatoheshin nga OKB, përkatësisht Këshilli i Sigurimit, Rusia e bëri të qartë se nuk do të miratonte një rezolutë përkatëse”.
Rosert thotë se përkrahësit dhe kundërshtarët kishin argumentet e tyre, por, në fund, mandati për intervenim mungoi vetëm për shkak të Rusisë. Rosert thekson se rezistenca ruse ndikoi që NATO të ndërhyjë kundër Serbisë pa mandat eksplicit të OKB-së. Mungesa e këtij mandati eksplicit ndikon që shumë ekspertë të thonë se ndërhyrja e NATO-s më 1999 nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.