Arbëri

Prattipati: Kryeministri në detyrë dhe LVV-ja me tendenca për t’i përjashtuar nga gara disa parti serbe

Diplomatja kryesore amerikane e akredituar në Kosovë, Anu Prattipati, i ka shkuar të enjten në zyrë kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për t’i kërkuar që të ndalen veprimet për t’ua pamundësuar disa subjekteve politike serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ajo bëri të ditur se SHBA-ja është duke e vëzhguar këtë çështje.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, ka shprehur shqetësim me veprimet që t’u pamundësohet disa partive serbe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Pas takimit që ka pasur të enjten pasdite me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ajo ka thënë se tendenca të tilla janë shfaqur nga Kurti dhe partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje.

“Ngrita shqetësimet tona që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po e shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale. Të jemi të qartë, besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, ka thënë ajo.

Diplomatja amerikane ka bërë të ditur se SHBA-ja është duke e vëzhguar këtë çështje.

“Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që kufizon zgjedhjet e tyre. Ia kam bërë të qartë këto pika kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”, është shprehur Prattipati.

Çështja e Listës Serbe është rikthyer si temë të mërkurën në Kuvend, pasi dështoi zgjedhja e kryeparlamentarit në vazhdimin e seancës. Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje akuzuan partitë oponente për votim të koordinuar me Listën Serbe kundër të propozuarve për kryeparlamentar.

Deputeti Hekuran Murati deklaroi se partitë e tjera kanë raporte të mira me Listën Serbe dhe se ato do të kontribuojnë në certifikimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

VIDEO: