Arbëri

Prattipati: Institucionet paralele serbe duhet të integrohen në sistemin e Kosovës

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati

Foto: Ambasada Amerikane

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka thënë se institucionet paralele të udhëhequra nga Serbia duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

Në një intervistë me një grup të mediave në gjuhën serbe në Kosovë, Prattipati ka thënë se mënyra se si do të ndodhë kjo është e rëndësisë kyçe.

“Ne kemi qenë të qartë për këtë çështje. Institucionet paralele të udhëhequra nga serbët duhet përfundimisht të përfshihen në sistemin e Kosovës. Gjithsesi, mënyra se si kjo do të implementohet është e rëndësisë kyçe. Ne i kuptojmë ndjeshmëritë që lidhen me ofrimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor për komunitetin serb të Kosovës dhe kemi shprehur vazhdimisht shqetësim për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura”, ka thënë ajo, siç ka shkruar “Kossev.info”. “Të gjitha ndryshimet që prekin komunitetin serb të Kosovës, duhet të implementohen në konsulta me këtë komunitet. Nuk ka alternativë”.

Në këtë intervistë ajo ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar me veprimet e qeverisë së Kosovës “që kanë nxitur tensione, sidomos kur bëhet fjalë për trajtimin e serbëve në Kosovë”.

“Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurohet që serbët të kenë shanse të barabarta dhe të marrin plotësisht pjesë në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë”, citohet të ketë thënë ajo.

Ajo po ashtu ka serbët në Kosovë duhet të marrin përgjegjësi për të ndihmuar në ndërtimin e një Kosove më stabile.

“Kur nuk je në tavolinë, të tjerët vendosin për ju. Pjesëmarrja ju siguron rolin në formimin e së ardhmes”, ka thënë tutje ajo.