Produktet nga Kosova që mësyjnë tregun amerikan, prej sot, e mërkurë (7 gusht) do të përballen me tarifë prej 10 për qind, pas hyrjes në fuqi të vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për tarifat gjithëpërfshirëse.
Kosova është në mesin e më shumë se 90 shteteve që përballen me tarifën.
Kjo tarifë nënkupton që kompanitë që shesin mallra në SHBA duhet të paguajnë taksë prej 10 për qind në shtetin amerikan.
Kosova ishte paralajmëruar qysh më herët se do të jetë pjesë e kësaj liste. E SHBA-ja nuk dha sinjale as pak ditë më parë nëse do të veprojë njëjtë si Kosova, që ia hoqi tarifën në importe më 1 gusht. Ambasada e SHBA-së në Kosovë më 5 gusht u shpreh se e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës prej 10 për qind për mallrat amerikane që futen në Kosovë, por s’tregoi nëse këtë do ta bëjë edhe SHBA-ja ndaj Kosovës.
Kosova ende nuk i ka filluar negociatat për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale për tregti të lirë me SHBA-në.
Vitin e shkuar Kosova eksportoi mallra në vlerë 39 milionë euro drejt SHBA-së, ndërsa importet arritën pikën më të lartë deri tash, 106.5 milionë euro.
Në prill të këtij viti, SHBA-ja vendosi tarifë prej 10 për qind ndaj produkteve të Kosovës si masë reciprociteti. Në fakt, Kosova ishte ndër shtetet që kaloi më së lehti, pasi vetëm në rajon ka shtete që këtë tarifë e kanë 35 për qind, si Serbia për shembull.