Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

President brenda 34 ditësh ose zgjedhje më së largu më 7 qershor

karrika e presidentit

Foto: Driton Paçarada

Është rrëzuar dekreti i presidentes Vjosa Osmani, me të cilin ajo e shpërndau Kuvendin, nën arsyetimin se nuk e ka zgjedhur presidentin së paku 30 ditë para se t’i përfundojë mandati asaj. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur pa efekt këtë dekret, dhe ua ka lënë ligjvënësve në dispozicion 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit. Në rast dështimi, legjislatura e dhjetë shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen brenda 45 ditësh

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të shtetit. Në të kundërtën, sipas aktgjykimit të publikuar të mërkurën, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Aktgjykimi ka trajtuar kërkesën e Qeverisë dhe të shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e të 30 deputetëve të tjerë, që kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Vjosa Osmani, me të cilin më 6 mars ka shpërndarë legjislaturën e dhjetë, me arsyetimin se nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin një muaj para përfundimit të mandatit të atij aktual.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në pikën e dytë të aktgjykimit, Kushtetuesja ka konstatuar se “Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik”.

E, në dy pikat pasuese ka përshkruar veprimet që mund të merren nga deputetët.

“Të konstatojë që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi kanë tridhjetekatër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e tretë. “Të konstatojë që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzetepesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, vijohet në pikën e katërt.

Nëse nuk do të ketë president brenda kësaj periudhe të përcaktuar nga Kushtetuta, atëherë bazuar në afatet e përshkruara në aktgjykim, deri më 7 qershor qytetarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit.
Kushtetuta kërkon që Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri më së largu 30 ditë pa i përfunduar mandati presidentit që është në detyrë. Ky afat ka përfunduar me t’u përmbyllur 5 marsi, ditë gjatë së cilës është organizuar seanca për presidentin, e cila është bojkotuar nga partitë opozitare, Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe. Në mungesë kuorimi, nuk është zhvilluar votimi. 

E të nesërmen, presidentja Vjosa Osmani ka nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit.
Por, meqë dekreti është atakuar në Kushtetuese, dhe pas pak ditësh gjykata vendosi masë të përkohshme, Osmani nuk ka shpallur datë të zgjedhjeve të parakohshme. 

Gjykata ka shfuqizuar masën e përkohshme, vendim që deputetëve të legjislaturës së dhjetë ua rikthen mandatin.

Gjykata, si objekt të çështjes së kërkesave ka pasur vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të kontestuar për të cilin parashtruesit e kërkesave kanë pretenduar se ai nuk është në pajtueshmëri me paragrafët 1 dhe 3 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], nenin 16 [Epërsia e Kushtetutës], nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 2 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] dhe paragrafin 2 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës.

Në aktgjykim, Kushtetuesja ka arsyetuar verdiktin. Ajo ka theksuar se në praktikën e saj të deritanishme, ajo nuk ka dhënë një interpretim të drejtpërdrejtë dhe përfundimtar lidhur me ndërveprimin mes nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 që thotë se Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti, dhe paragrafit 2 të nenit 86, sipas të cilit zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

“Gjykata konsideron se leximi dhe interpretimi i këtyre dy dispozitave kushtetuese nuk mund të bëhet në mënyrë të duhur nëse ato trajtohen jashtë kontekstit kushtetues në të cilin ato duhet të zbatohen. Nëse dy dispozitat e lartcekura lexohen në mënyrë tekstuale dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, mund të nxirren dy përfundime konkrete: E para, që Kuvendi shpërndahet ex constitutione nëse brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh nuk arrin të zgjedhë presidentin, duke filluar nga dita kur nis procedura e zgjedhjes; dhe, e dyta, që Kuvendi ka detyrimin që të paktën tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual të zgjedhë presidentin e ri”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit. “Në këtë mënyrë, për Kuvendin rrjedh e drejta që të ketë në dispozicion gjashtëdhjetë (60) ditë për të zhvilluar procedurën e zgjedhjes së presidentit, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër rrjedh edhe detyrimi që, kur ka president aktual në funksion kushtetues, të zgjedhë pasardhësin e tij jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

Sipas gjykatës, nëse Kuvendi ka pasur në dispozicion 60 ditë për të zhvilluar procedurën e zgjedhjes së presidentit para hyrjes në afatin 30-ditor, afat ky kur presidenti i ri duhet zgjedhur dhe zgjedhja e tij nuk realizohet, atëherë aktivizohet nënparagrafi 3 i paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, dhe Kuvendi shpërndahet “ex constitutione”. Në këtë rrethanë, sipas gjykatës, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.

Sipas gjykatës, kjo vlen për rastet kur Kuvendi është i konstituuar dhe funksional.

Por, legjislatura e dhjetë është konstituuar as një muaj para afatit të skajshëm, brenda të cilit duhej zgjedhur presidenti.

“Gjykata vëren se Kushtetuta nuk ka specifikuar shprehimisht rrethanën se kur fillon dhe përfundon procedura e zgjedhjes së presidentit të ri, në rrethanat kur nuk ka një Kuvend të konstituuar dhe funksional, dhe kur gjatë kësaj periudhe përfundon mandati i presidentit. Ndërlidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit, Gjykata tashmë ka konstatuar që bazuar në interpretimin e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës, Seanca Konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit të Kuvendit (shih, rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 145)”, thuhet në pikën 161.

“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e presidentit”, vijohet në paragrafin 162.

Bazuar në këtë, gjykata ka përllogaritur afatin prej 60 ditësh prej kur ka nisur mandatin legjislatura e re dhe ka theksuar se nëse ajo për 60 ditë nuk e zgjedh presidentin, duhet të shpërndahet. Në këtë kohë nuk ka përfshirë ditët prej seancës së 5 marsit e deri në nxjerrjen e aktgjykimit. Së këndejmi, i ua ka lënë deputetëve në dispozicion 34 ditë për ta zgjedhur presidentin.

Në seancën e 5 marsit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm. Në të u paraqitën dy kandidatë të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, meqë paraprakisht dështuan negociatat për emër konsensual, të realizuara mes përfaqësuesve të partive kryesore politike.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë në kuti 80 vota e në të tretin, të paktën 61. Në sallë, kanë qenë të pranishëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa kanë munguar ata të opozitës.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë e kam njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu”, pati njoftuar ajo.

Në aktgjykimin e së mërkurës, Kushtetuesja nuk e ka trajtuar edhe çështjen e ngritur nga kryeparlamentarja Haxhiu. Megjithatë, nuk ka treguar prerë nëse deputetët janë të obliguar të qëndrojnë në sallë e të marrin pjesë në votim gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit, siç është theksuar në aktgjykimet e mëhershme.

“Gjykata rikujton që Kushtetuta në nenin 70 [Mandati i Deputetëve] përcakton që deputetët si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit. Po ashtu, bazuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, deputetët marrin përsipër përgjegjësinë që mandatin përfaqësues ta ushtrojnë në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat formale të përcaktuara në Kushtetutë, ligje dhe rregulloren e Kuvendit (shih, rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafët 130 dhe 190). Sipas Gjykatës, se çka konsiderojnë deputetët se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në aspekt politik dhe në aspekt të politikave publike, është tërësisht në vullnetin dhe vendimin e deputetëve të Kuvendit”, thuhet në pikën 175 të aktgjykimit. “Përderisa respektohet Kushtetuta, çdo zgjidhje e të zgjedhurve dhe njëkohësisht përfaqësuesve të popullit, duhet respektuar dhe Kushtetuta përcakton qartë, që deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”.

Gjykata ka theksuar se në rrethanat e rastit konkret, specifikisht sa i përket procedurës së zgjedhjes së presidentit, Kushtetuta u ka dhënë deputetëve gjithë hapësirën e nevojshme që në kuadër të garancive të mandatit jodetyrues dhe kërkesave për të ushtruar mandatin e tyre në interesin më të mirë të Rep Kosovës, të gjejnë mënyrën për t’i dhënë shtetit presidentin e ri, ndërsa popullit përfaqësuesin dhe simbolin e unitetit, në përputhje me procedurën e përcaktuar me Kushtetutë dhe të sqaruar më tej në praktikën gjyqësore, si në rastet KO29/11 dhe KO47/16.

Presidenca: Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese

Presidenca ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani e ka “mirëpritur” aktgjykimin e Kushtetueses, nëpërmjet të cilit i është rrëzuar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit. Megjithëkëtë, në deklaratën e lëshuar pas shpalljes së aktgjykimit, është thënë se ai “konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”.

“Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, thuhet në deklaratë. “Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së presidentit”.

Sipas deklaratës, presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve dhe u ka bërë atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë detyrimin kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ajo ka ftuar Kuvendin që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e presidentit të ri.

Nagavci: U konfirmua se dekreti ishte antikushtetues

Kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar se dekreti i shpallur nga presidentja Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale”, ka shkruar ajo në reagim. “Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”.

Nagavci ka theksuar se gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohen të gjithë për të zgjedhur presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, për të cilat ka thënë janë të panevojshme dhe të padrejta.

Abdixhiku: Kushtetuesja nuk konstatoi ndonjë shkelje

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vendimi i Kushtetueses ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Ai ka theksuar se partia që e drejton e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Megjithëkëtë, ka theksuar se “veprimet e presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike”.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka theksuar se vendimi nuk krijon epërsi për askënd. Ai ka thënë se në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, LDK-ja do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor.