Arbëri

Presidenti i Këshillit Evropian sot në Kosovë

Antonio Costa

Foto: Associated Press

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, sot do të mbërrijë në Kosovë.

Ai pritet të zhvillojë takim me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët, derisa pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ai një ditë më parë (të martën) ka qëndruar në Beograd, ku u shpreh se Serbia e ka në duart e saja procesin e integrimit evropian. Ai i ka bërë thirrje Serbisë "që s'mund ta festojë lirinë pa e dënuar pushtimin e një shteti tjetër".

Këto deklarime, Costa i bëri pas vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ata festuan përvjetorin e fitores së Rusisë ndaj nazizmit.

Policia e Kosovës njoftoi se për të mundësuar qarkullimin e lirë gjatë vizitës së Costas, do të bëjë ndeprerje të përkohshme të disa segmenteve rrugore.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve të larta sipas agjendës,  Policia e Kosovës  do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e bërë në Facebook.