Edhe Vetëvendosje e edhe Partia Demokratike i kanë kërkuar presidentes që të emërojë të propozuarin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, dy ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, presidentja nuk e ka emëruar anëtarin e ri e as nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS se kur do ta bëjë këtë. Mandati i presidentes përfundon më 4 prill e ushtrimin e detyrës së saj pas kësaj date e merr kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila mund ta kompletojë përbërjen e re të KQZ-së
Edhe dy ditë pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe tri ditë para përfundimit të mandatit, presidentja Vjosa Osmani ende nuk e ka kompletuar përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ky institucion është mangu për një anëtar, për shkak të dilemës së ngritur nga presidentja nëse i takon LVV-së anëtari i tretë në KQZ apo PDK-së i dyti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër këtë dilemë ajo iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, siç pati bërë më 2021, por edhe atëherë e edhe tash, Kushtetuesja ia shpalli kërkesën të papranueshme për trajtim.
Në Presidencë nuk janë përgjigjur që nga e marta se cilin nga të propozuarit e partive do ta emërojë për anëtar të KQZ-së.
Më 2021, kur u gjend në udhëkryqin e njëjtë, pas përgjigjes së Gjykatës, Osmani vendosi ta emërojë kandidatin e PDK-së.
Meqë ajo është në përfundim të mandatit, të mërkurën, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një letre, i kërkoi që sa më parë të emërojë kandidatin e dytë të partisë së tij në këtë institucion.
Në të Hamza ka theksuar se vendimi i Kushtetueses ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, “duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik”.
“Mosveprimi në këtë fazë në rrethanat kur çështja është sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve. Për më tepër, kërkojmë që të respektohet edhe praktika e deritanishme institucionale, sipas së cilës PDK-ja ka pasur përfaqësim me dy anëtarë”, thuhet në letrën e Hamzës.
Në letër, kryetari i PDK-së ka theksuar se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së. Ai ka konstatuar se çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte një partie tre anëtarë në KQZ, do të ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me parimin e balancës institucionale.
Por, të njëjtën kërkesë për presidenten e kanë edhe në Vetëvendosje.
Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, ka insistuar se presidentja duhet t’ia emërojë LVV-së anëtarin e tretë në KQZ.
“Anëtarët e KQZ-së reflektojnë situatën gjegjësisht forcat në Kuvend dhe kjo jo vetëm në aspektin strikt matematikor, por si përqindje gjegjësisht si ulëse të fituar në Kuvend. Duke qenë se LVV ka 57 deputetë, pra ka më shumë se 50 për qind të ulëseve në Kuvend, është e natyrshme, e pritshme që ky numër i deputetëve të reflektojë në përfaqësimin e anëtarëve në KQZ”, ka thënë Nagavci.
Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara.
E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta përcakton se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.
Osmani i kishte kërkuar Kushtetueses vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ajo po ashtu kishte kërkuar nga Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme në zbatimin e afateve ligjore lidhur me fillimin e mandatit të një anëtari të KQZ-së, që nuk ishte emëruar për shkak të paqartësive kushtetuese.
Kushtetuesja e ka shpallur kërkesën e Osmanit të papranueshme. Ka refuzuar edhe kërkesën për masën e përkohshme. Sipas arsyetimit të gjykatës, kompetenca për emërim i përshkruhet presidentes me ligj dhe jo me Kushtetutë, prandaj nuk mund të japë vlerësim për këtë.
“Gjykata vëren se neni 84 Kompetencat e Presidentit] dhe paragrafët 3 dhe 4 të nenit 139 (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) të Kushtetutës, përcaktojnë kompetencën kushtetuese të presidentes për emërimin e kryesuesit të KQZ-së dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve të këtij të fundit, por kompetenca e presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht me paragrafin 6 të nenit 61 të tij. Duke marrë parasysh që konflikti i kompetencave, në rrethanat e rastit konkret, është ngritur përkitazi me një kompetencë të presidentes dhe e cila nuk është përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata, bazuar në pikën 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës dhe praktikës së saj gjyqësore thekson se konflikti i kompetencave nuk është ngritur përkitazi me ‘kompetenca kushtetuese’ të presidentes dhe për pasojë, nuk është plotësuar kriteri i dytë kushtetues në kontekst të ngritjes së ‘konfliktit të kompetencave kushtetuese’ për presidentin, Kuvendin dhe/ose Qeverinë. (shih, rastin KO88/21, cituar më lart, paragrafi 72)”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.
Afati i fundit është 11 prilli e presidentja ka mandat vetëm deri më datë 4.
Pas kësaj date, ushtrimin e detyrës së saj e merr kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila gjithashtu mund ta bëjë emërimin e anëtarëve të KQZ-së, nëse deri atëherë nuk janë emëruar.