Emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së është dërguar për sqarime në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani. Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes, u ngrit shkaku që partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që i parasheh Kushtetuta. Partitë dërguan në Presidencë propozime për aq anëtarë sa i patën në përbërjen e shkuar, përveç LVV-së që propozoi një më shumë se më herët
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për sqarime lidhur me emërimin e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndryshe nga përbërja në shkuarje, në të renë Osmani nuk e ka emëruar anëtarin e dytë të PDK-së, ndonëse kësaj partie i ka kërkuar që t’i propozojë emrat e kandidatëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta thotë se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.
Pas zgjedhjeve të 2021-tës, nga partitë shqiptare, LVV-ja ka pasur dy anëtarë, PDK-ja dy, ndërsa LDK-ja e AAK-ja nga një.
Por, dilema për përfaqësimin e ardhshëm në KQZ është ngritur pas propozimit të tre kandidatëve nga Vetëvendosje.
“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, kanë thënë nga Presidenca.
Sqarimet presidentja i ka kërkuar të shtunën, pasi ka përfunduar afati për emërimin e anëtarëve.
Në PDK, nëpërmjet një konference për shtyp, të martën, kanë shprehur shqetësim pasi presidentja nuk i ka emëruar të dy anëtarët e saj.
Në këtë parti kanë thënë se presidentja e ka shkelur Kushtetutën me refuzimin që ta emërojë kandidatin e PDK-së.
“Presidentja Osmani, në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit Bedri Hamza, ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së. Pra, jo propozimin e një kandidati, siç e ka certifikuar tani, por të kandidatëve, në shumës. Prandaj, ajo ka përgjegjësinë që para qytetarëve të sqarojë se çfarë e shtyri që në momentet e fundit të tërhiqej nga rruga kushtetuese dhe ligjore e emërimit të anëtarëve të PDK-së në KQZ”, ka thënë Betim Gjoshi, anëtar i Kryesisë së PDK-së.
Të njëjtën dilemë Osmani e pati edhe më 2021 kur Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet me mbi 50 për qind të votave dhe e ka kërkuar edhe anëtarin e tretë në KQZ.
Edhe atëherë, presidentja iu pati drejtuar Kushtetueses për sqarime, porse Gjykata nuk e ka trajtuar lëndën, e për rrjedhojë Osmani nuk ka emëruar tre kandidatë të LVV-së, por e ka emëruar kandidatin e dytë të PDK-së në KQZ.
Në PDK kanë thënë se e kanë një drojë tjetër nëse Osmani e përfundon mandatin pa e emëruar kandidatin e tyre të dytë.
“Pas datës 4 prill në postin e së parës së shtetit do të vendoset si ushtruese detyre, Albulena Haxhiu, një person me bagazh të madh antikushtetues dhe antiligjor, e cila sigurisht se është e gatshme për kapitalizimin e shkeljes së radhës të Kushtetutës së Kosovës dhe të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë”, ka thënë Gjoshi.
Nga partitë shqiptare, presidentja ka emëruar Alban Krasniqin dhe Violeta Eminin si përfaqësues të LVV-së, Ilir Gashin të PDK-së, ndërsa nuk e ka emëruar Rashit Qalajn.
Nga LDK-ja e ka emëruar Sami Hamitin, ndërsa nga AAK-ja, Muharrem Nitajn.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve. Ky afat përfundon më 10 prill.