Presidentja Vjosa Osmani do t’i takojë liderët e partive parlamentare veç e veç të mërkurën, në përpjekje për të gjetur rrugën drejt daljes nga ngërçi politik në të cilin ka hyrë Kosova si pasojë e dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Të gjithë liderët e partive i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Osmanit për takim. Ajo deri tash ka mbajtur takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike Memli Krasniqi, atë të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.
Ftesa e Osmanit për liderët u bë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që obligoi deputetët të konstiutojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Që nga e enjtja (26 qershor) kur u publikua aktgjykimi, liderët kanë pasur një takim por nuk janë dakorduar për zgjidhjen.
Ngërçi është krijuar te procesi i zgjedhjes së kryeparlamentarit. Fillimisht VV-ja, si parti fituese, propozoi emrin e Albulena Haxhiut. Ajo nuk mori votat e mjaftueshme në disa tentime. Pas kësaj, VV-ja propozoi të formohet një komision për votim të fshehtë. Deputetët e partive të tjera kritikuan propozimin dhe e cilësuan antikushtetues. Që nga përpjekja e parë e VV-së për këtë komision, ata kanë refuzuar të votojnë. E aktgjykimi i Kushtetueses ka shtuar polemikat mbi këtë çështje. Teksa VV-ja e interpreton si obligim pjesëmarrjen në votim të deputetëve, në partitë tjera thonë se nuk mund të ndryshohet procedura e votimit.
Të shtunën, VV-ja mblodhi liderët e tjerë dhe doli me propozimin që të votohet në votim të fshehtë e nëse dështon emri i Haxhiut do të tërhiqet më pas. Propozim tjetër ishte që emrat e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të votohen në pako. Nuk pati dakordim.
Në Presidencë kanë paralajmëruar po ashtu se po që se paraqitet nevoja, presidentja është e gatshme t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.
Osmani me Prattipatin diskutojnë për konsultimet lidhur me konstituimin e Kuvendit
Presidentja, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Ndër të tjera në këtë takim thuhet se është diskutuat edhe për takimet që Osmani i ka zhvilluar me liderët e subjekteve politike lidhur me bllokadën e krijuar në procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në ciklin e ri të konsultimeve me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin.
Osmani dhe Prattipati thuhet se kanë diskutuar për çështje të ndryshme në kuadër të bashkëpunimit bilateral, siç thuhet, “duke rikonfirmuar përkushtimin për avancimin tutje të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”.
Osmani u bën thirrje liderëve politikë që ta konstituojnë Kuvendin brenda afatit 30-ditor
Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje liderëve të subjekteve politike që sa më shpejt të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani të mërkurën ka takuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në njoftim thuhet se liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, siç theksohet, “në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës”.
Haradinaj: Zhvillimet pas 30-ditëshit mund të jenë dramatike
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka deklaruar se situata është e rëndë dhe tha se ka shpresuar që pas aktgjykimit të Kushtetueses, do të dilnin nga kjo krizë.
Haradinaj ka thënë të mërkurën se zhvillimet pas përfundimit të afatit prej 30 ditësh mund të jenë dramatike, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese “mund të na kthejë në pikën zero”.
“Zhvillimet pas 30-ditëshit munden me qenë shumë dramatike. Gjykata mundet me na kthy në pikën zero, thua se nuk janë mbajtur zgjedhjet hiç e kjo është situatë serioze. Për shembull, ka raste që Gjykata thotë se ata që janë zgjedhur e kanë humbur mandatin e tyre se nuk e kanë ushtruar funksionin...Krejt këtë brez politik e çon në shtëpi, thotë se nuk e keni kryer detyrën dhe shkoni në shtëpi”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka shtuar se kjo legjislaturë mund të dështojë nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja. Haradinaj ka thënë se iniciativa për krijimin e komisionit për votim të fshehtë është i gabuar, pasi tha se kjo ka shkaktuar ngecjen për të dalë nga kriza.
“Ne qëndrimet i kemi dhënë me kujdes, në mënyrë që ta ndihmojmë gjendjen, nuk është që nuk kemi dhënë ndihmë. Së pari kemi kërkuar që me ardhë praktika e votimit që të votojmë, e jo me ardhë praktika e votimit që mos me votu. Sikur të kthehet praktika e hapur e votimit shpresojmë që do të votojmë edhe për ata që nuk kemi votë do të votojmë kundër, por për kandidatët konsensual do të votojmë për. Kjo është përparësia dhe po shpresojmë që ta gjejmë një rrugë se si të votojmë hapur”, ka shtuar ai.
Sipas Haradinajt, për këtë situatë është e shqetësuar edhe presidentja Osmani. Ai tha se në takim Osmani u interesua për qëndrimin e AAK-së dhe për mënyrën se si të dilet nga kriza.
“Situata është bukur e rëndë sepse ne kemi shpresuar që pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do ta shfrytëzojë mundësinë Vetëvendosje që të kthejë praktikën, të ndryshojë praktikën e votimit të kthejë në votim të hapur dhe eventualisht të kalojë në kandidat, ai që i merr votat”, ka potencuar ai.
Haradinaj në takim me Osmanin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka arritur në Presidencë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani.
Haradinaj është lideri i katërt me radhë që sot e takon Osmani. Presidentja më herët ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuyrti, atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Osmani po i takon liderët e partive parlamentare veç e veç, në përpjekje për të gjetur rrugën drejt daljes nga ngërçi politik në të cilin ka hyrë Kosova si pasojë e dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Abdixhiku: Kurti po qeveris me rezultat të para katër vjetësh
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e mirëpresin ftesën e presidentes Vjosa Osmani dhe përfshirjen e saj në këtë proces.
Ajo ka thënë se ka një aktgjykim të Kushtetueses që është shumë i qartë sa i përket mënyrës së votimit, por mbi të gjitha është i qartë sa i përket thelbit të problemit.
“Thelbi i problemit është që i takon partisë së parë, që të propozojë, por edhe të krijojë shumicën parlamentare. Në këtë vijë ne presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike e pastaj për respektim të domosdoshëm të procedurave kushtetuese. Ne kemi një aktgjykim që thotë se zgjedhja e kryeparlamentarit bëhet sipas praktikave të deritanishme. LDK-ja nuk ka çështje të emrave sa i përket kandidatit, ka qëndrim parimor dhe me vullnet e bindje dëshiron të votojë kundër kandidatëve të VV-së’, ka thënë ai.
Ai ka thënës se ”deri më tani ka pasur një procedurë paraprake e më pas ka pasur një vendim arbitrar nga më i moshuari i Kuvendit që pa pyetur askënd ka vendosur pas 7 seancave të kalojë në votim të fshehur”.
Abdixhiku ka thënë se vendit i duhet kapërcimi i kësaj krize politike artificiale.
Ka shtuar se Kurti është duke qeverisur me rezultat të para katër viteve.
“Ai nuk ka legjitimitet besa e as moral politik”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kurti e ka kapur institucionin kushtetues përmes më të moshuarit të Kuvendit.
Osmani takon Abdixhikun
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është lideri i tretë partiak që presidentja Vjosa Osmani ka takuar të mërkurën në përpjekje për të gjetur zgjidhjen për të dalë nga ngërçi politik.
Ai u takua me Osmanin pas takimeve që ajo pati ndaras edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe atë të Partisë Demokratike.
As ky nuk u deklarua para takimit me Osmanin.

Krasniqi pret që pas takimeve të presidentes të sqarohet “a ka lëvizur VV-ja nga kryeneçësia”
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se pasi presidentja t’i përfundojë të gjithë takimet e planifikuara do të dihet nëse Lëvizje Vetëvendosje ka lëvizur ose jo nga kryeneçësia e saj.
Në një prononcim për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Krasniqi u shpreh se në takim bëri të ditur qëndrimet e PDK-së.
“Rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e PDK-së për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhje të krizës politike, sidomos që tashmë kemi qartësi nga aktgjykimi i Kushtetueses. Aktgjykimi i ka bërë të qartë rolet e secilit. Në radhë të parë, koalicionin e parë e ka detyruar për gjetjen e kompromisit apo konsensusit. Shpresoj që këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes. Por mbetet që takimet e tjera që i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë a ka apo s’ka ndryshim të kryeneçësisë politike të VV-së dhe Albin Kurtit që po e mbajnë të bllokuar Kuvendin”, ka thënë ai.
Kryetari i PDK-së deklaroi se partia që më së paku duhet të merret me interpretime të Kushtetutës është LVV-ja dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
“Sa herë i kemi çu në Kushtetuese, ne kemi fituar lëndë, ata kanë humbur”, ka shtuar Krasniqi.
Ai ka thënë po ashtu se presidentja e ka mundësinë që të dërgojë kërkesë të veçantë në Kushtetuese për sqarime. Ndërsa për PDK-në ka thënë se e ka të gatshme lëndën për “shkeljet kushtetuese që janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe vetëdijshme në dy seancat e kaluara dhe mund të ndodhë edhe nesër nëse nuk ndryshon qasja e kryesuesit dhe LVV-së”.
Osmani nis takimin me Krasniqin
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka mbërritur në Presidencë për takimin me presidenten Vjosa Osmani në përpjekjen për të dalë nga ngërçi në Kuvend.
Krasniqi është lideri i dytë partiak që takohet me Osmanin, pas Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi nuk është deklaruar para takimit.

Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjnë gjithçka që Kuvendi i ri të konstituohet deri në fundin e korrikut dhe në frymën e bashkëpunimit mes partive politike.
Pas një takimi që zgjati rreth dy orë me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën, Kurti u shpreh se afatet ligjore janë duke rrjedhur dhe se konstituimi i legjislaturës së re duhet të ndodhë në javën e fundit të korrikut.
“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, ka thënë Kurti.
Ai bëri të ditur se në takim me Osmanin janë diskutuar të gjitha elementet përbërëse të procesit.
Kurti u shpreh se duhet pritur që të përfundojnë edhe takimet e presidentes me përfaqësuesit e partive të tjera, “për të vlerësuar nëse do të arrihet përparim i mjaftueshëm”.
“Besoj duhet t’i japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim cili është progresi”, u shpreh Kurti.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor obligoi deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Të shtunën, me ftesë të Kurtit pati takim me përfaqësues të të gjithave partive parlamentare joserbe. Por takimi s'prodhoi diçka të re.
Prattipati hyn në Presidencë, s'iu bashkua takimit Osmani-Kurti
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës të mërkurën, në kohën kur aty po mbahet takimi i presidentes Vjosa Osmani me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Takimi po zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të presidentes për të gjetur rrugëdalje për krizën e shkaktuar në Kuvend si pasojë e moskonstituimit.
KOHA ka mësuar se ajo ka pritur në ambiente tjera dhe nuk ka hyrë në takim.

Osmani nis takimin me Kurtin
Presidentja Vjosa Osmani ka nisur takimet me liderët e partive parlamentare. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është lideri i parë me të cilin është takuar të mërkurën në përpjekje për të dalë nga ngërçi.
Pas tij, Osmani pritet të ketë takime edhe me liderët e tjerë.
Kurti nuk ka folur para mediave në hyrje të takimit.
Pas takimit me Kurtin, Osmani do ta takojë Memli Krasniqin e PDK-së, pastaj Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe në fund Ramush Haradinajn e AAK-së. Të nesërmen do të ketë takime me përfaqësues të partive të komuniteteve.
