Qeveria në detyrë ka prezantuar bursën e mobilitetit para studentëve përfitues, ku u theksua se kjo skemë synon të lehtësojë qasjen në arsim për studentët, pavarësisht distancës gjeografike dhe gjendjes ekonomike.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se nuk bëhet fjalë vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por për një vizion më të gjerë për arsimin.
“Nuk jemi duke folur vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por edhe për një vizion më të gjerë, atë për një republikë ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Me bursën e mobilitetit për studentë, Qeveria jonë po adreson një sfidë reale me të cilën janë përballur shumë studentë ndër vite. E kjo është kostoja e udhëtimit drejt universiteti. Kjo skemë është e dizajnuar në programin e drejtësisë sociale, sepse ne vlerësojmë që distanca gjeografike dhe gjendja ekonomike nuk duhet të jenë pengesë për arsimin cilësor. E dimë që shumë familje shpenzimet e përditshme të transportit i kanë barrë të rëndë prandaj dhe kjo bursë nuk është veçse përkrahje financiare, është e qartë që shteti është në anën tuaj dhe se investimi në arsim është në të ardhmen e Kosovës”, tha Kurti, raportoi Ekonomia Online.
Qeveria në detyrë pati ndarë 1.6 milionë euro për programin “Bursa e Mobilitetit” për studentë. Sipas këtij programi do të përfitojnë 10 mijë studentë, ku niveli i bursës do të përcaktohet nga vendbanimi ku jetojnë dhe vendi ku studiojnë.
Vendimet për ndarje të mjeteve financiare për studentë janë cilësuar si "blerje votash" nga partitë që kanë qenë në opozitë.


