Për vite me radhë shtëpizat prej druri vendosen në sheshet e Prishtinës për të ofruar ngrohtësi në të ftohtin e dhjetorit.
Përderisa vite më parë vendoseshin edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, këtë vit janë vendosur vetëm në sheshin “Skënderbeu”, megjithatë, nuk janë hapur ende për t’i shërbyer qytetarët me verëra dhe çaje të nxehta.
Situata pandemike ka bërë që të mos hapen në kohën e paraparë, përderisa drejtoria në largim e Kulturës ka planifikuar që të mos ketë as koncerte “live”, as në natën e ndërrimit të mot-moteve, për shkak të variantit të ri të Covid-19.
“Jemi në një situatë jo të lakmueshme duke e ditur se kemi edhe masat e reja pasi varianit Omicrom janë duke u rritur numrat çdo ditë e më shumë, e në këtë rast e kemi pasur të pamundur që të realizojmë aktivitete artistike dhe përformanca muzikore. Shumë shpejt do të dalë lista e bizneseve që do të marrin me qira shtëpizat për 30 ditë dhe të njëjtën kohë do të ketë edhe përformanca muzikore, jo muzikë live por vetëm muzikë në sfond, muzikë të qetë”, ka deklaruar Adrian Berisha, në ditët e fundit si drejtor në Komunën e Prishtinës.
Përkundër këtyre mungesave, Komunës së Prishtinës dekorimi i sheshit edhe këtë vit i ka kushtuar 70 mijë euro.
“Komuna e Prishtinës, drejtoria për kulturë ka një kontratë 3 vjeçare për dekorimin e Prishtinës në festat e fund vitit. Dekorimi sillet me një shumë prej 50-70 mijë euro në vit. Në atë kontratë ka edhe gjëra teknike si transporti i tavolinave, i shtëpizave”, ka thënë ai.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket shijes së dekorimit të shesheve të kryeqytetit.
Pas marrjes së mandatit të kryetarit të zgjedhur, Përparim Rama, do të shohim nëse do të ketë ndonjë ndryshim sa i përket festimit në shesh të festave të fundvitit.