Sigal Prishtina e ka pësuar disfatën e 16-të këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll.
Prishtina të hënën mbrëma në Pallatin e Sportit në Prishtinë, humbi nga Bashkimi me rezultatin, 87:77.
Ndeshja Prishtina – Bashkimi i takoi xhiros së 25-të. Ishte ndeshja e fundit e kësaj xhiroje.
Shanon Shorter i Bashkimit e mbylli ndeshjen me 25 pikë, pesë kërcime e pesë asistime.
Te klubi prizrenas u dallua edhe Lejson Zeqiri me 15 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.
Dequon Lake realizoi 15 pikë, tetë kërcime e një asistim, derisa te Prishtina më i dalluari ishte Alex Lomax me 19 pikë, shtatë kërcime e dhjetë asistime.
Adrio Bailey e mbylli takimin me 18 pikë, shtatë kërcime e dy asistime Sigal Prishtina është në pozitën e gjashtë me 34 pikë.
Bashkimi forcohet në vendin e dytë me 42 pikë, por është larg lideres Trepçës që udhëheq në tabelë me 47 pikë.