Pa transport kanë mbetur shumë nxënës të qytetit dhe fshatrave të komunës së Fushë-Kosovës.
Arsyet, sipas zyrtarëve komunalë, janë procedurat e prokurimit publik. Drejtori për Arsim në këtë Komunë, Fadil Krasniqi, ka thënë se janë detyruar që këto ditë ta anulojnë këtë aktivitet dhe tash duhet ta fillojnë nga e para.
“Ne i kemi kryer procedurat, sa i përket procedurave tona të cilat ekzistojnë në Komunë dhe këtu ka edhe operatorë ekonomikë të cilët nuk janë të kënaqur me vlerësimet që bëhen dhe në momentin që nuk janë të kënaqur ata bëjnë kërkesë për rishqyrtim të procedurave në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ne faktikisht kemi mbetur një kohë, përafërsisht qe një muaj kemi mbet peng i procedurave të rishqyrtimit të kërkesave të operatorëve ekonomikë dhe në fund, para dy ditësh është kthye që duhet të shkohet në riprocedurë të prokurimit”, ka thënë Krasniqi për KOHËN, i cili është edhe nënkryetar i Komunës.
Sipas tij, tash do të shohin mundësinë që të zhvillojnë këtë aktivitet të prokurimit me procedurë të shpejtë.
“Tani me siguri personi që është përgjegjës për prokurim do të shfrytëzojë mundësinë të procedurave të shkurtuara për të ardhur deri te kontrata e bartjes së nxënësve të pjesëve të ndryshme të fshatrave, por edhe vetë të Fushë- Kosovës, si rasti i Grabocit, rasti i Harilqit, rasti i Bardhit të Vogël, rast i Nakaradës, të cilët nxënësit duhet t’i bartin prindërit vet me mjete vetanake të tyre”, ka theksuar Krasniqi.
Kur është pyetur nëse nxënësit mund të mbesin pa transport këtë gjysmëvjetor, pasi mund të ketë sërish ankesa, ai ka theksuar se shpreson që një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Mos të them që një pjesë e mirë e marrin sikur lloj të inatit, që duhet të eliminohen këto gjëra, sepse dëmtohen nxënësit”, ka thënë ai.
Krasniqi ka deklaruar se është një numër i konsiderueshëm i nxënësve që duhet t’u sigurohet transporti nga Komuna.
“Nuk e di numrin e saktë të nxënësve për momentin, por është një numër i konsiderueshëm i nxënësve që barten nga vise të largëta, siç është rasti i Grabocit që duhet të vijnë prej Ranollëve deri në shkollë që është një rrugë goxha e gjatë, është rasti në Sllatinë pjesa që shkon për Krivovë, që shkon për Drenas, ato shtëpi që janë larg dhe kanë problem fëmijët të udhëtojnë rrugës edhe malit për shkak se janë të rrezikuar dhe që i ka 3-4 kilometra që duhet të udhëtojnë nxënësit e klasës së parë. Por, unë besoj që edhe këtë problem do ta zgjidhim shpejt”, ka theksuar Krasniqi.