Kryeministri hungarez Viktor Orban do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten pasdite.
Prioriteti kryesor i Orbanit do të jetë ta bindë administratën amerikane që Hungaria të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia.
Në një intervistë nga Uashingtoni, Orban tha se vendi i tij nuk ka alternativa të qëndrueshme për naftë nëse nuk furnizohet nga Rusia, pasi Hungaria është një shtet pa dalje në det, në zemër të Evropës Qendrore, raporton AP.
“Nuk po kërkoj ndonjë dhuratë nga amerikanët apo ndonjë gjë të pazakontë. Thjesht po kërkoj të kuptohet se sanksionet e vendosura së fundmi ndaj energjisë ruse i vënë në një situatë të pamundur disa vende, si Hungarinë, që nuk kanë dalje në det. Dhe do t’i kërkoj presidentit ta pranojë këtë”, tha Orban për transmetuesin shtetëror hungarez të enjten mbrëma.
“Kam disa sugjerime, disa mundësi. Do t’i kërkoj atij të pranojë njërën prej tyre”, shtoi ai.
Kryeministri hungarez njihet mes udhëheqësve evropianë për marrëdhëniet e tij të ngushta si me presidentin rus Vladimir Putin, ashtu edhe me Donald Trumpin.
Orban ka fituar gjithashtu mbështetje nga Trump dhe lëvizja e tij MAGA (Make America Great Again), e cila e sheh Hungarinë si një shembull të nacionalizmit konservator, pavarësisht shkatërrimit të institucioneve demokratike në vend.
Orban e përshkroi marrëdhënien politike midis administratës së Trumpit dhe qeverisë hungareze si “të shkëlqyeshme”.
“Të dy qeveritë janë plotësisht në harmoni për çështjet e paqes dhe luftës, për çështjen e migracionit dhe për mbrojtjen e vlerave familjare. Është një marrëdhënie miqësore”, tha Orban. “Sigurisht, presidenti amerikan përfaqëson interesat e popullit amerikan, ndërsa unë përfaqësoj interesat e hungarezëve”, shtoi ai.
Ndërkohë që shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë reduktuar ndjeshëm ose kanë ndalur plotësisht importet e karburanteve ruse pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska më 24 shkurt 2022, Hungaria dhe Sllovakia fqinje kanë vazhduar furnizimet përmes tubacioneve.
VIDEO: Momenti i arritjes në SHBA