Qeveria “Kurti 3” ka mbajtur mbledhjen e parë të saj një ditë pas formimit, duke proceduar në Kuvend projektbuxhetin për 2026 si dhe pesë marrëveshjet ndërkombëtare. Por, projektbuxheti nuk reflekton strukturën e re qeverisëse, të cilës i janë shtuar edhe 4 ministri krahasuar me qeverinë paraprake.
Një ditë pas formimit, kabineti qeveritar “Kurti 3” mbajti mbledhjen e parë, në të cilën miratoi projektbuxhetin për 2026 dhe pesë marrëveshje ndërkombëtare.
Projektbuxheti në vlerë 4 miliardë euro, i cili iu përcoll të enjten Kuvendit, është ai i miratuar nga Qeveria në detyrë, e që si i tillë nuk reflekton strukturën e re qeverisëse, të cilës i janë shtuar edhe 4 ministri, krahasuar me ato paraprake.
“Siç e dini në legjislaturën e nëntë si qeveri në detyrë e kemi miratuar buxhetin, më 31 tetor, por meqë nuk kaloi, ne e kemi risjellë atë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se buxheti për 2026 financohet nga të hyrat buxhetore 3.64 miliardë euro, ndërkaq pjesa tjetër është financim përmes huamarrjes apo edhe deficitit.
“Marrë parasysh edhe ndryshimin e strukturës së Qeverisë dhe ndryshimin e emrave në disa prej dikastereve, do të ketë nevojë që të niset një rishikim sa më parë, por duke pasur parasysh urgjencën që të kemi një buxhet të miratuar, ne po e procedojmë për në Kuvend dhe me zotimin që bashkë me kolegët të ulemi dhe të fillojmë procesin e një rishikimi sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të merren prioritetet e qeverisë”, ka thënë Murati.
Ky buxhet përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti sapo të hyjë në fuqi ligji.
Qeveria me nguti kaloi marrëveshjet ndërkombëtare, në mënyrë që të mos humbasë fondet.
E tillë është marrëveshja për financimin e politikave zhvillimore për efikasitetin fiskal, kokurrueshmërinë dhe Rritjen e gjelbër, mes Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore, në vlerë prej 90.3 milionë eurosh, ku e premtja e 13 shkurtit, është data e fundit për ratifikim.
Qeveria ka miratuar edhe 4 marrëveshjet e tjera ndërkombëtare dy prej të cilave kanë të bëjnë me Planin e rritjes me BE-në.
Krejt në fund, Qeveria mori vendim për zgjatje buxhetore edhe për muajin mars me arsyetimin se duhet të kryhen disa pagesa të planifikuara, siç janë pagat në sektorin publik dhe pensionet.
Por, në mbledhjen e parë nuk u procedua ligji i ri për çmimin tavan, ai për heqjen e kufizimeve për punësimin e veteranëve e as miratimi i pakos së përballjes me inflacion për çka Kurti kishte thënë se do të jenë vendimet e para që do t’i ndërmarrë.
Arsye për këto i dha ministri Murati, duke thënë se në ndërkohë ministrat e rinj do të marrin detyrat e reja dhe do të procedohen edhe ato vendime që janë top 5 prioritet e premtuara nga Kurti.