Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një tryezë diskutimi për Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se është shqetësuese shkalla e lartë e korrupsionit në Kosovë. Duke komentuar refuzimin e një prokurori të ftuar në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Haxhiu ka theksuar se si ministri kanë dhënë sinjale të qarta se janë të përkushtuar për shtetin e së drejtës dhe se janë të hapur për këdo që ndihmon në këtë proces
Me kritika për Këshillin Prokurorial të Kosovës e ka nisur fjalimin e saj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një tryezë diskutimi për Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ajo, duke thënë se është shqetësuese shkalla e lartë e korrupsionit në Kosovë, shtoi se bojkotimi që po merr MD-ja nga KPK-ja të njëjtën nuk duhet ta bëjë edhe shoqëria civile.
“Uroj që pas shkëputjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë, po i referohem shkëputjes së bashkëpunimit të sistemit prokurorial, uroj që ata të mos bojkotojnë edhe organizatat e shoqërisë civile, për faktin se kjo është shenjë jashtëzakonisht shqetësuese”, ka thënë ajo.
Haxhiu tha se si ministri kanë dhënë sinjale të qarta se janë të përkushtuar për shtetin e së drejtës.
“Ne si Ministri e Drejtësisë kemi hapur dyert për të gjithë ata që duan shtetin e së drejtës dhe besoj që tashmë kemi dhënë sinjale të qarta se jemi të përkushtuar për shtetin e së drejtës, andaj kushdo që dëshiron ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë për jetësimin e prioriteteve të parapara në programin qeverisës janë të mirëseardhur”, tha Haxhiu.
Reagimi i Haxhiut u bë pasi ishte planifikuar që panelist të ishte edhe Valdet Gashi, prokuror i Prokurorisë Speciale, i cili me gjithë konfirmimin e pjesëmarrjes nuk erdhi. Në lidhje me këtë ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi duke u bërë thirrje MD-së e KPK-së që të ndalin akuzat ndërmjet vete.
Sipas tyre, përmes kësaj qasjeje është duke u cenuar pavarësia e sistemit të drejtësisë në vend dhe po ashtu janë duke u vënë në rrezik ndërmarrja e reformave të nevojshme për sistemin e drejtësisë.
“Vendimi i fundit i KPK-së për të ngrirë bashkëpunimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, sikurse edhe deklaratat politike të Ministrisë së Drejtësisë ndaj sistemit prokurorial cenojnë dhe dëmtojnë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, paraqesin pengesë për të promovuar sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe zbatimin e reformave të filluara. Kosova është duke kaluar përmes një faze kritike që lidhet me tri procese të rëndësishme që kanë për qëllim përmirësimin dhe ngritjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, si procesi i vetingut, zbatimi i Strategjisë për sundimin e ligjit dhe pakoja e ligjeve të sistemit prokurorial të Kosovës”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Derisa nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike u dhanë disa rekomandime për Projektligjin e konfiskimit të pasurisë, Haxhiu tha se janë duke punuar dhe se në koncept-dokument është paraparë që të krijohet një agjenci e pavarur që do të merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në Kosovë në momentin kur ka shpërputhje. Naser Shamolli nga GLPS-ja ka prezantuar pesë çështje kryesore të cilat duhet të rregullohen në projektligjin e ri, e që janë fushëveprimi, procedurat e verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme, autoritetet kompetente për konfiskim dhe mjetet juridike dhe koha e zbatimit.
“GLPS, por edhe organizatat e tjera të shoqërisë civile më shumë jemi për një fushëveprim të gjerë të ligjit, gjithmonë duke pasur parasysh natyrën e grumbullimit të pasurisë së pajustifikueshme. Është vështirë e argumentueshme që e njëjta të përkufizohet me një rreth të caktuar për persona, është vështirë e argumentueshme për krimet që nuk lidhen me ushtrimin e detyrës zyrtare, siç janë terrorizmi, prostitucioni trafikimi me lëndë narkotike”, ka thënë ai.
Ndërsa gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Zyhdi Haziri, tha se një pjesë e mirë e gjyqtarëve janë të përgatitur për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Mendoj se te ne mungon ky ligj dhe besojmë që aprovohet kjo dhe të vazhdohet. Sa i përket pyetjes se a jemi të përgatitur, po besoj se ndoshta s’mund të them me përqindje të lartë, por një pjesë e mirë e gjyqtarëve janë të përgatitur për konfiskimin e kësaj pasurie”, është shprehur ai.