Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po dyshohet për veprën penale kanosje.
Ka të bëjë me një rast të kanosjes së dy personave që dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor në Pejë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për KOHËN se gjithçka ka ndodhur në rrugë për shkak të trafikut të ngarkuar.
Ai ka shtuar se procedura hetimore është iniciuar dhe sipas tij po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale të kanosjes. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, është shprehur Nikçi.
E ministri Elbert Krasniqi ka mohuar se ka kryer veprën e kanosjes, sipas avokatit të tij Artan Kastratia.
Në një deklaratë për KOHËN avokati i tij ka thënë se Krasniqi ka dhënë deklaratën në Polici dhe i ka mohuar pretendimet për kanosje, por edhe se ka pasur armë me vete. Avokati ka thënë se koha kur është bërë ky pretendim e bën ngjarjen të duket tendencioze dhe me prapavijë politike.
“Në momentin e ngjarjes, ministri ka qenë me familje, bashkëshorten dhe fëmijët gjë që e bën të pakuptimtë dhe të pabazë çdo pretendim për sjellje të rrezikshme nga ana e tij. Në këtë rast duke pasur parasysh se denoncimi është bërë një kohë të ndjeshme zgjedhore, gjë që e bën këtë çështje të dukshëm tendencioze dhe me prapavijë politike duke shtuar këtu faktin që denoncuesit janë persona recidivistë të njohur për organet e drejtësisë rasti është duke u trajtuar me kujdes nga organet kompetente, për faktin se realisht është rrezikuar siguria e ministrit dhe familjarëve të tij, e jo e kundërta. Prandaj, as që mund të flitet për kanosje nga ana e klientit tim. Jemi të bindur se procesi hetimor do të dëshmojë të kundërtën nga ajo që pretendohet, dhe se e vërteta do të dalë në pah plotësisht”, ka thënë ai.