Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria s’di për kombibusin që prej 16 vjetësh iu “zhduk” Spitalit të Prizrenit

Prokuroria s’di për kombibusin që prej 16 vjetësh iu “zhduk” Spitalit të Prizrenit

Një kombibusi që figuron në pasurinë e Spitalit të Prizrenit nuk i dihet vendndodhja që nga viti 2010. Rasti është denoncuar në polici vitin e kaluar. E, në Prokurori nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë informata për rezultatin eventual të hetimit.

Një kombibus me katër dyer figuron që nga viti 2010 në evidencën e pasurisë së Spitalit të Prizrenit, por fizikisht nuk gjendet askund.

Burime të KOHËS kanë thënë se prej 16 vjetësh, kur spitali kishte organizuar një ankand për shitjen e disa automjeteve, ky mjet vazhdon të figurojë vetëm në sistemin e pasurisë së këtij institucioni.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai nuk është çlajmëruar si i shitur, por as nuk gjendet në posedim të spitalit.

Ndonëse kjo mospërputhje është evidentuar që nga viti 2010, menaxhmenti i spitalit e ka denoncuar rastin në organet e hetuesisë vetëm në qershor të vitit 2025.

“Aktualisht ndodhet në procedurë hetimore pranë organeve kompetente të Policisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Spitalit të Prizrenit.

Ndonëse edhe pak ditë bëhet një vit prej kur rasti është denoncuar, në Spital kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë informacion kthyes për ecurinë e hetimeve.

“Spitali ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë plotësisht me organet e hetimit, duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Deri më tani, nga organet e hetimit nuk kemi pranuar asnjë shkresë apo vendim zyrtar lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigje.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se rasti ndodhet në Prokurori.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit rasti është përcjellë në Prokurori me Raport të Veçantë. Për informacione të tjera ju lutem që t’i referoheni Prokurorisë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndërkaq, në Prokurorinë Themelore në Prizren kanë thënë se nuk kanë mundur ta identifikojnë rastin dhe kanë kërkuar informata më të detajuara.

“Ju njoftojmë se, bazuar në të dhënat e ofruara në kërkesën tuaj, Prokuroria nuk është në gjendje të identifikojë rastin konkret për të cilin kërkoni informata. Theksojmë se rastet penale në Prokurori evidentohen dhe identifikohen përmes numrit të lëndës, numrit të kallëzimit penal, emrit të personit të dyshuar, emrit të personit të dëmtuar apo të dhënave të tjera identifikuese relevante, e jo sipas përshkrimit të përgjithshëm të ngjarjes. Për rrjedhojë, për të mundësuar identifikimin e rastit për të cilin kërkoni informata, ju lutemi të na përcillni të dhëna shtesë relevante, si numri i lëndës, numri i kallëzimit penal, data e paraqitjes së rastit apo ndonjë informacion tjetër identifikues”, thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie.

Prokuroria Themelore në Prizren nuk ktheu përgjigje të tjera të premten pasi KOHA ua përcolli datën e saktë të denoncimit të rastit.

Për këtë rast është raportuar për herë të parë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në vitin 2024. Gjetja është përsëritur edhe në raportet pasuese, pa u zgjidhur mospërputhja mes evidencës dhe gjendjes faktike të automjetit.