Arbëri

Prokuroria: Thaçi i tha Smakajt ta udhëzojë Zyrapin të mos bëhej shumë i mençur

Detaje të shumta për rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit, janë bërë të ditura pas publikimit të dosjes së prokurorisë lidhur me rastin për ndikim në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në bazë të dosjes paraprake të ZPS-së, ish-presidenti Thaçi përmes vizitorëve në raste të ndryshme u ka dhënë udhëzime dëshmitarëve se çfarë të thonë, si të flasin, si të duken e edhe çfarë të lexojnë para dëshmisë.

Mesazhe për mënyrën se si duhet të dëshmojnë Bislim Zyrapi, Rrustem Mustafa, Nuredin Ibishi, Sylejman Selimi, Sokol Bashota e Shukri Buja i ka dhënë Hashim Thaçi vizitorëve të tij Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi sipas dosjes paraprake të prokurorisë.

Në dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se ish-presidenti Thaçi i tha ish-këshilltarit të tij politik dhe ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, që ta udhëzonte dëshmitarin Bislim Zyrapi të mos bëhej shumë i mençur.

Pjesë nga dosja:

“HASHIM THAÇI: Ai është i mençur – duhet të bëhet shumë i mençur, por jo shumë i mençur – i mençur për ta përmbledhur atë që do ta thuash. [zhurmë e lehtë e karriges]. Por jo aq i mençur sa ta lëshojë gjuhën aty. 

BASHKIM SMAKAJ: Mos teorizo. [Nuk kuptohet]. 

HASHIM THAÇI: Mos e liro atje. Jo. Jo”.

ZPS-ja i ka bërë pjesë të dosjes citate nga përgjimet e Thaçit me të akuzuarit dhe persona të tjerë, ku pretendohej se ish-presidenti i sugjeroi Zyrapit të mos vijë si rebel, ta thjeshtojë e të mos e përziejë dëshminë e tij.

Zyrapit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sipas dosjes, Thaçi ia nisi përmes vizitorëve dhe mesazhin që nëse i përgjigjet gjykatës me fjalët “nuk më kujtohet”, askush nuk mund ta detyrojë të përgjigjet.

Në një moment sipas dosjes, Thaçi ishte konkret për atë se cila pjesë e dëshmisë së dëshmitarit 4 duhet të dalë ndryshe para gjykatës.

Pjesë nga dosja:

“HASHIM THAÇI: [Pëshpërit] Thuaji atij, “duhet ta ndreqësh këtë në rreshtin 9”. [Nuk kuptohet].

ISNI KILAJ: Hë?

HASHIM THAÇI:  [Pëshpërit] [Nuk kuptohet] Këtu.

ISNI KILAJ: A ta shkruaj këtu?

HASHIM THAÇI:  [Pëshpërit] [Nuk kuptohet] Këtu.

ISNI KILAJ: Po”

ZPS-ja pretendon se të akuzuarit ishin në dijeni se po bënin vepra penale në vizitat e tyre.

Në dosje, prokuroria e ka përfshirë edhe një audio-përgjim ku pretendohet se Thaçi, me ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-komandantin, Vllaznim Kryeziu, flisni për rrezikun se do të dënoheshin me burgim.

Pjesë nga dosja:

“ISNI KILAJ: Jam i kujdesshëm me këto gjëra, e di. [Nuk kuptohet]

HASHIM THAÇI: Këtu, me mua do të të sjellin! [Qesh].

VLLAZNIM KRYEZIU: Po.

ISNI KILAJ: S’ka gjë, mund të rri nja dy vjet, vetëm nja dy vjet”.

Në bazë të dosjes së prokurorisë, si Smakajt, ashtu edhe Kilajt iu gjetën letra ku shkruheshin udhëzime për dëshmitë e dëshmitarëve.

Në një nga letrat e shqyera që iu gjetën ish-shefit të inteligjencës kosovare në veturë, shkruhej se: Thaçi dhe të bashkakuzuarit e rastit për krime lufte Kadri Veseli e Jakup Krasniqi nuk ishin fare në Shtab të Përgjithshëm deri në nëntor të 98-s.

Citat nga dokumenti i Smakajt në dosjen paraprake:

“Kjo ishte përbërja e plotë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (Sokoli, Rexhepi – të dy studentë të Letërsisë – dhe Lahiu, punëtor në një agjenci udhëtimesh dhe tre anëtarë jashtë (Xhaviti, A. Syla dhe Xheladin Gashi – të tre pa përvojë ushtarake) […] Deri në nëntor të 1998-s, H.TH. dhe K.V. u morën me çështje të POLITIKËS DHE MEDIAVE, JO ME USHTRI ([“B”] nuk e pati parasysh fare rolin e Shtabit të Përgjithshëm te UÇK-ja si ushtri. Për pasojë, Hashimi dhe Kadriu në muajt mars, prill e maj, ashtu edhe Jakupi, nga qershori u morën me MEDIA DHE ME PUBLIKUN, pa qenë fare anëtarë të UÇK-së”.

ZPS-ja pretendon se këtë dokument e kishte shtypur Thaçi në qendrën e paraburgimit.

Sipas dosjes, një nga udhëzimet që i çoi Thaçi nga paraburgimi ishte për ish-komandantin e Zonës së Drenicës, Sylejman Selimin, duke i treguar për atë që duhej ta lexonte.

Udhëzimi, sipas ZPS-së ishte që dëshmitari t’i qëndronte besnik një interviste të Rexhep Selimit, ta lexojë librin e Blerim Shalës dhe intervistën që ia ka dhënë Shkëlzen Gashit në librin “Lufta dhe paqja” sepse në gjykatë do të përballej me atë intervistë.

Në dosjen paraprake të ZPS-së thuhet po ashtu se ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në kohën sa ishte anëtar i ekipit të Thaçit, i çoi mesazh në Whatssap ish-komandantit të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafës, duke e përgëzuar se e paraqiti një ide të qartë për luftën dhe vendin në intervistën e tij në KTV.

Fadil Faziut, sipas kësaj dosjeje, Thaçi i ka thënë që ta udhëzojë Mustafën që të dalë nga gjykimi si hero dhe të mos dalë turpshëm. 

Vizitorë e prezentë në biseda janë edhe personazhe të njohura të proceseve politike në Kosovë, si deputeti Abelard Tahiri, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, deputeti Artan Behrami, ish-këshilltari i Thaçit, Blerim Shala. 

“‘HASHIM THAÇI: Po flet për atë të fortin, të voglin? Për Remin?
ARTAN BEHRAMI: Po, po. Po. 
HASHIM THAÇI: Po flas për Remin.’ Theksi i shtuar); ... 
HASHIM THAÇI: […] Megjithatë, është shumë mirë që vijnë këtu. Është shumë mirë që këta të UÇK-së vijnë këtu, sepse nuk do të rrëshqasin. Mbi bazën e tyre e kanë ndërtuar JCE-në (v.j Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale). 
ABELARD TAHIRI: Të gjithën. Po. 
HASHIM THAÇI: Sepse, për shembull, i vogli kishte rrëshqitur shumë keq më herët. ABELARD TAHIRI: Po”, shkruhet ndër të tjera në pjesën ku ZPS-ja pretendon se flitet lidhur me Rrustem Mustafën.

Ndërkaq, Sami Lushtaku pretendohet se ka pasur biseda me Thaçin lidhur me dëshminë e Bislim Zyrapit dhe Sokol Bashotës.

Pjesë nga dosja e prokurorisë:

“‘HASHIM THAÇI: Jo, por sepse tani janë të gjitha shkurt. Janë dy orë, pesë orë, nuk ke – vetëm ata të UÇK-së që do të vijnë, Bisa me [Nuk kuptohet], Bisa me [Nuk kuptohet]

SAMI LUSHTAKU: Po. Bisa do të jetë më i gjati. 

HASHIM THAÇI: Po, por Bisa është goxha njëfarë dreqi i vogël [Nuk kuptohet]. Ai është krejt poshtë, krejt poshtë [Nuk kuptohet], por në rregull. 

SAMI LUSHTAKU: [Pëshpërit] Ai, ai është me [Nuk kuptohet]. 

HASHIM THAÇI: Syla është pas teje. 

SAMI LUSHTAKU: [Pëshpërit] Edhe ky djali. 

HASHIM THAÇI: Koli. 

SAMI LUSHTAKU: [Pëshpërit] – Koli”. 

Por si Tahiri, Behrami, Lushtaku dhe shumë të tjerë përmenden vetëm në aspektin rrethanor, meqë nuk janë të akuzuar në këtë rast.

Kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj Gjykatës. Ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, akuzohen për “Tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Mosbindje ndaj gjykatës”. Ndërsa, ish-ministri Kuçi akuzohet për shpërfillje të gjykatës.