Anëtarë të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë (FM) kanë protestuar të mërkurën para rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP), pasi kanë thënë se, në mungesë konkursesh prej tri vjetësh, menaxhmenti është duke vënë në rrezik ekzistencën e shumë programeve shkaku i mungesës së profesorëve.
Paraprakisht, me një peticion, ata i janë drejtuar edhe ministrit të Arsimit, Hajrullah Çeku, të cilit i janë ankuar në rektorin Arben Hajrullahu, prorektoren Albana Berisha-Qehaja dhe kryesuesin e Këshillit Drejtues të UP, Altin Sahiti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Situata në UP dhe konkretisht në Fakultetin e Mjekësisë është e rëndë. Në këtë stad kemi ardhur si rezultat i luftës të pashoq që i bëhet njësisë sonë akademike nga ana e rektoratit”, thuhet në shkresën adresuar ministrit Çeku. “Në pamundësi për të zgjidhur problemet e akumuluara brenda institucionit, jemi të detyruar të ju drejtohemi juve për të ndërmarrë masat adekuate brenda kompetencave ligjore”.
Anëtarë të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë kanë protestuar edhe para Rektoratit, mesditën e së mërkurën.
Në një letër, ata kanë theksuar se Fakulteti i Mjekësisë që 3 vite përballet me injorim nga ana e UP.
“Tri vite po kalojnë dhe ende nuk është shpallur asnjë konkurs për pozita të reja, ndonëse sipas statutit të UP-së kërkohet që të ketë 2 konkurse brenda vitit. Në tetor të vitit 2025 Fakulteti i Mjekësisë ka dërguar kërkesa për pozita të reja. Nevojat reale ishin për 72 pozita, por duke marrë parasysh ndikimin buxhetor, FM e ka ulur numrin e pozitave të kërkuara në 38 (që domethënë rreth 13 për çdo vit të humbur akademik në 3 vitet e fundit). Pavarësisht mirëkuptimit të treguar nga ana e FM-së dhe për vetë faktin që në FM profesorët e rinj marrin pagë sa 30% e pagës së plotë në fakultetet tjera (kjo ndodh sepse profesorët e rinj në FM e kanë pagë primare pagën e mjekut), Rektorati në mënyrë arbitrare ka kundërshtuar hapjen e pozitave të reja”, thuhet në letër.
Në të theksohet se në pothuajse të gjitha njësitë tjera akademike konkursi është shpallur në dhjetor 2025, e në Mjekësi jo. Në shkresë thuhet se konkursi i funidt është shpallur në maj të 2023-s.
“Për shkak të pensionimit të numrit të madh të profesorëve kemi mbetur me katedra pa asnjë profesor. Situata do të përkeqësohet edhe më tepër në vitin akademik 2026/2027, për shkak se deri atëherë numri total i stafit të pensionuar në këto 3 vite do të arrijë në gati 30”, thuhet në letër. “Kjo sjellje e padrejtë dhe arbitrare e Rektoratit ndaj FM-së po e rrezikon edhe akreditimin e programeve studimore të njësisë më atraktive për studentët në vendin tonë, ndërsa hapja e programeve të reja është e pamundur me fondin aktual të profesorëve”.