Arbëri

Punonjëses së OSBE-së që akuzohet për spiunazh i vazhdohet paraburgimi edhe për 2 muaj

Jelena Gjukanoviq (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Punonjëses së misionit të OSBE-së në Kosovë, e akuzuar si spiune e Serbisë, Jelena Gjukanoviq, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj. 

“Nga gjyqtari jemi njoftuar se ndaj të pandehurës J.Gj. është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për KOHËN. Nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se masa e paraburgimit do t’i llogaritet deri më 18 nëntor.

Në seancën e shqyrtimit fillestar avokati i Gjukanoviqit ka kërkuar që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, që që ishte kundërshtuar nga prokurori i rastit. 

Në seancën fillestare Gjukanoviq është deklaruar e pafajshme. 

Prokuroria Speciale e akuzon atë se ka kryer veprën penale deri në momentin e arrestimit të saj, në shkurt të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Gjukanoviq si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë me vetëdije të plotë ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione të dokumentuara për agjentin rezident të BIA-së, Aleksandër Vllajiq, të cilat informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s.

Përveç komunikimeve me të dënuarin për spiunazh, Aleksandër Vllajiq, në aktakuzë thuhet se Gjukanoviq ka komunikuar edhe me zyrtarë të tjerë të BIA-s serbe.

Ajo akuzohet se ka ndihmuar edhe në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës.

Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti, nën akuzën se ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme tek Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Serbisë.