Rishfaqja e grafiteve të reja në veri me mesazhe kërcënuese se “ushtria serbe do të rikthehet në Kosovë”, ka shqetësuar deputetët e Kuvendit. Përfaqësues të partisë në pushtet dhe atyre opozitare, thanë se kjo dëshmon që Serbia nuk ka hequr dorë nga synimi për ta destabilizuar Kosovën. Opozita ka ngritur dyshime lidhur me informatën se Kurti u kërcënua me jetë javën e shkuar
Partia në pushtet dhe opozita kanë shprehur shqetësim pas rishfaqjes së grafiteve në veriun e populluar me shumicë serbe me përmbajtje kërcënuese. Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të hënën, përfaqësues të subjekteve thanë se Serbia nuk ka hequr dorë nga destabilzimi i veriut përmes grupeve terroriste.
“Paraqitja e grafiteve natyrisht që është marrë me shqetësim por edhe seriozitet të organeve kompetente. Siç e dini menjëherë janë aktivizuar policia dhe prokuroria për identifikimin e autorëve të paraqitjeve të këtyre grafiteve. Sa i përket situatës të paraqitjes së sulmit terrorist të Banjskës të shtatorit të vitit të kaluar, të gjitha informacionet tregojnë se Serbia asnjëherë nuk ka të shkaktojë destabilitet në Kosovë. Por gjithashtu edhe gatishmëria dhe përgatitja e organeve të vendit dhe forcës ndërkombëtare është treguar se është në nivelin e duhur”, ka deklaruar shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo shtoi se si pasojë e zhvillimeve në veri është rritur siguria personale e udhëheqësve të shtetit. Por nuk pranoi të shpalosë detaje lidhur me pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut.
Opozita ka ngritur dyshime lidhur me këtë pretendim.
“Ju e dini se të kaluarën jo shumë të largët ka pasur kërcënime edhe për liderët e opozitës, të cilët tashmë janë në mbrojtje të policisë. Por vërtet është për keqardhje kur brenda një periudhe disaorëshe me u demantu nga shteti mikpritës i kryeministrit të Kosovës. Kjo është shumë e pahijshme dhe kjo i vë një hije të keqe AKI-së dhe institucioneve të sigurisë. Nuk mendoj se duhet për interesa të kujtdo qofshin të degradohet puna e institucioneve të sigurisë”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Cili ka qenë niveli i kërcënimit, këtë nuk e di. Veçse një shtet si Maqedonia e Veriut nuk guxon të deklarojë publikisht, nëse ekziston një komunikim zyrtar mes dy agjencioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në këtë temë...Normal si shqiptar me të kërcënuar dikush kryeministrin nuk ndihesh mirë, sikurse ndihem jo mirë kur një shtet detyrohet të demantojë për një çështje, e cila siç po duket është përdorur për qëndrime politike”, ka thënë shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.
Opozita u ka dhënë mbështetje institucioneve në ngritjen e sigurisë në veri dhe zmbrapsjen e çfarëdo sulmi që tenton ta bëjë Serbia.
Në mbledhjen e së hënës, Kryesia caktoi tri seanca për këtë javë. E para mbahet të mërkurën me pikat e papërfunduara të javës së kaluar, e dyta të enjten, që është seancë e re, kurse të shtunën, do të mbahet seancë solemne me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.