Reagime të shumta ka nxitur raporti që tregon se Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka relativizuar raportin duke thënë se megjithatë ka trend pozitiv. E përfaqësues të partive opozitare kanë thënë se vendi ka nevojë për kthesë të madhe
Raporti që ka nxjerr Kosovën si vendin e dytë me të varfër në Evropë është parë me një sy tjetër nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Sipas raportit të “World Atlas” i hartuar në bazë të të dhënave Fondit Monetar Ndërkombëtar, del se kosovarët janë më të varfrit në kontinent pas moldavëve, që nga viti 2024.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMegjithatë, ministri në detyrë, Murati, ka thënë se trendi është pozitiv.
“Kosova ka qenë e fundit kur ne kemi marrë qeverisjen dhe tash kemi ngritje më lartë në atë tabelën e rangimit. Në fakt nëse shihet viteve të kaluara, pra deri në vitin 2019 diferenca e Kosovës me vendet e tjera ka shkuar duke u rrit, pra vendet tjera i kanë ik Kosovës, kurse tash lëre që e kemi ngushtu diferencën por edhe e kemi kalu një shtet dhe presim që shumë shpejtë ky trend të vazhdojë dhe nëse vazhdon ky trend dhe qeverisja e mirë t’i kalojmë edhe shtetet e tjera”, ka thënë Murati.
Murati po ashtu ka thënë se Kosova përgjatë viteve është ngritur dhe se më herët i ka pasur qytetarët edhe më të varfër sesa Moldavia.
“FMN-ja aty ka raportuar të ardhurat për kokë banori të bazuar në fuqinë blerëse. Unë nuk po bëj vlerësime, unë vetëm e thash që nëse shikohet trendi, pyetja do të mund të ishte shtruar pak më ndryshe sepse trendi tregon që Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera, pra kemi qenë në vendin e fundit gjatë qeverisjeve të kaluara, tash po kemi kaluar Moldavinë dhe presim t’i kalojmë edhe shtetet tjera nëse vazhdohet ky trend”, ka thënë ai.
Në reagimin e tij për këtë raport kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se vendi ka nevojë për kthesë të madhe.
“Kosova është renditur ndër dy vendet më të varfra në Evropë. Një lajm që duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse tregon qartë kah po rrëshqet vendi ynë. Kjo është pasqyra e përditshmërisë së familjeve tona, e qytetarëve që po e kanë çdo ditë më të vështirë ta përballojnë jetën, e të rinjve që po e humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen këtu…Kosova ka nevojë për një kthesë të madhe”, ka thënë Hamza.
E ish-ministrja e Financave dhe ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se statistikat tregojnë se qeveria ka bërë vazhdimisht propagandë, derisa qytetarët janë varfëruar.
“Derisa Kurti qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për “zhvillim e lulëzim ekonomik”, vendi ynë po përballet me varfëri të thellë. Situata është edhe më shqetësuese sesa duket. Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarësh në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon. Zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm në terma nominalë…Jeta për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme, sepse pagat e tyre, me këto çmime, kanë humbur vlerë, andaj qytetarët janë të zhytur në kredi”, ka thënë ajo.
Në bazë të të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, fuqia blerëse për kokë banori e kosovarëve është e dyta pas Moldavisë që nga viti 2024.