Nga Ivan Krastevi te Francis Fukuyama: një pasqyrë e mendimeve të shkrimtarëve, publicistëve dhe politologëve të njohur mbi agresionin rus kundër Ukrainës.
1.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger” intelektuali bullgar Ivan Krastev përshkruan dy takimet e tij me Vladimir Putinin. Autokrati rus, sipas Krastevit, është “person i fuqishëm, inteligjent, i mirëinformuar, ai ka edhe sens për humorin e vjetër të Europës Lindore. Për llojin e barsoletave të cilat nuk u tregohen më të rinjve. Por edhe mllefi i tij është i pafundmë. Nëse kapet pas një pike, ai shkon deri aty, saqë argumenti i tij e humb çdo legjitimitet”. Krastev potencon se Putin ka problem me gratë. “Ai beson se presidenti Barack Obama i ka emëruar përgjegjësi për Rusinë disa gra vetëm për ta poshtëruar Putinin. Susan Rice ka qenë këshilltare për siguri, Victoria Nuland ka qenë në Ministrinë e Jashtme”.
Juri Andruhoviq
2.
Juri Andruhoviq është njëri prej shkrimtarëve më të rëndësishëm ukrainas. Ai jeton në Ivano-Frankivsk, buzë Karpateve, jo larg kufirit me Poloninë. Në një bisedë me “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” Andruhoviq tregon për përditshmërinë në qytetin e tij. Refugjatë që vijnë gjithnjë e më shumë, njerëz që bëhen gati për më të keqen dhe për anëtarët e familjes së tij, disa të ardhur nga Kievi. Juri Andruhoviq thotë se për t’i mbajtur duart e qeta ata pandërprerë hanë fëstëkë. Për shumë europianë ideja e sakrifikimit të jetës për diçka tingëllon si e kohës së shkuar. “Por unë do të thosha se jeta njerëzore nuk ka vetëm një anë fizike. Jetës njerëzore i përket edhe dinjiteti”, thotë Andruhoviq. Dinjiteti pa liri nuk mund të imagjinohet, shton Andruhoviq.
“Nëse kapitullojmë, do të gjendemi në skllavëri – në skllavërinë më brutale që mund të merret me mend”. Sipas autorit ukrainas Vladimir Putini i ka të gatshme dy variante për Ukrainën: “Ose kapitullojmë, e mohojmë identitetin tonë dhe pranojmë gjithçka që është etabluar në vendin e tij fashist – ose ai na zhdukë”. Andruhoviq në të kaluarën ka dhënë disa deklarata jo aq të kujdesshme. Njerëzit në Ukrainën lindore i ka quajtur neandertalë dhe tërthorazi kishte propozuar që Rusisë t’i jepen trevat lindore dhe Krimeja. Tani e ka korrigjuar këtë mendim. Dhe thotë se po bëhet gati për luftë, po qe nevoja.
3.
Në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” historiani Jarosllav Kuisz dhe sociologia Karolina Wigura, të dy botues të revistës polake “Kultura Liberalna”, shkruajnë mbi frikën e Europës Lindore nga tradhtia e Perëndimit. “Historia e gjatë e shkatërrimeve nuk u arrit të zhduket edhe me mirëqenien në rritje në rajon në dekadat e fundit. Pas ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore dhe të erës komuniste trauma kolektive është tepër e thellë”, shkruajnë ata. Autorët nënvizojnë se perandoria e madhe ruse hedh hijen e saj ndaj Europës Lindore dhe Qendrore qe 300 vjet: “Së pari agresioni ishte territorial dhe ushtarak. Më vonë, në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, Moska ua imponoi një model ekonomik atyre kombeve që i kontrollonte, i cili çoi në falimentim kolektiv të këtyre vendeve. Në të vërtetë, në vazhdën e hapjes drejt Perëndimit pas vitit 1989, pati një grimë optimizëm, ishte një çast i frymëmarrjes. Por tani frika e vjetër është kthyer në mënyrë krejt konkrete”.
Karl Schlögel
4.
Po në “Neue Zürcher Zeitung” historiani gjerman Karl Schlögel, njëri prej njohësve më të mirë të historisë së Ukrainës, shkruan mbi përgjegjësinë e veçantë të gjermanëve. Schlögel kritikon naivitetin e politikës gjermane ndaj Rusisë, të cilës së pari i qe ofruar një “partneritet modernizimi”, pastaj gazsjellësi Nord Stream 2 ishte mbrojtur nga politikanët gjermanë me argumentin se bëhet fjalë për një “projekt privat ekonomik”, duke injoruar faktin se që nga fillim gazsjellësi ka qenë i projektuar nga Rusia për të mbajtur Gjermaninë të varur dhe për ta përdorur si armë energjetiko-politike. “ Propaganda ruse nuk kishte nevojë për agjentë, kiçin rus ajo e merrte falas”, proteston Schlögel, duke theksuar se mirëkuptuesit e Putinit gjendeshin në disa parti – nga Gregor Gysi e Sahra Wagenknecht (partia e majtë postkomuniste) deri te Mathias Platzeck (politikan socialdemokrat). E majta mbështeste Putinin dhe thoshte se këtë po e bën meqë e sheh veten në traditën e antifashizmit, ndërsa e djathta (Alternativa për Gjermaninë) i referohet Bismarckut dhe shekullit 19-të dhe mban kontakte me oligarkun ortodoks Konstatin Mallofejev, i cili i financon separatistët në Donbas. Ish-kancelarin Gerhard Schröder historiani Schlögel e quan “rast të veçantë, ku përmblidhen të gjitha ato që e përbëjnë kompleksin gjerman mbi Rusinë: traumën e luftës dhe humbjen e babait dhe erosin e pushtetit”. Schlögel thekson se në mendësinë gjermane forcat naziste kanë kryer krime vetëm ndaj rusëve, por e vërteta është se fushëbetejat dhe qytetet e barbarisë hitleriane gjenden në Ukrainë dhe në Bjellorusi. “Gjermanët do të kishin mjaft arsye që përballë të kaluarës së tyre të ndihen përgjegjës veçanërisht ndaj popujve që i kanë shtypur, pra që atyre në këtë situatë urgjence t’u japin armë dhe jo t’u mbajnë leksione moraliste. Mizoria e krimeve të ushtrisë ruse që po kryhen para syve tanë nuk na lejon të mbesim të ndrydhur edhe më tutje në kulturën e kujtimit të së kaluarës dhe punës përkujtimore, të cilat prej kohësh janë shndërruar në zëvendësim për ballafaqimin me të tashmen”.
Definicioni i profesorit Schlögel për Putinin është ky: “Putini nuk mund ta imagjinojë Rusinë pas dhe përtej perandorisë dhe bazë e modelit të tij të sundimit dhe thelb i destruktivitetit të tij është eksploatimi i të gjitha traumave të papërpunuara të historisë së Rusisë të shekullit 20-të. Për Putinin perandoria e dënuar të fundoset është më e rëndësishme se mbijetesa e Rusisë. Ai e urren Europën, të cilën e përbuz si të dobët, ai e urren Perëndimin, format jetësore të të cilit i sheh si rrezik për sundimin e tij. Ai e urren Ukrainën e cila s’do asgjë tjetër përveç se të jetë vend normal. Ai kënaqet kur e detyron Perëndimin që duarkryq të shikojë se si Ukraina po shkatërrohet”.
5.
Profesori nga Müncheni Martin Schulze-Wessel polemizon në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” me ata gjermanë që ia mohojnë Ukrainës të drejtën e shtetësisë. Ai përmend ish-kancelarin (ndërkohë të vdekur) Helmut Schmidt, i cili më 2014 pati shprehur mirëkuptim për aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe dyshim nëse ekziston një komb ukrainas. Schmidt ka qenë kundërshtar i ndërhyrjes së Perëndimit në Bosnjë dhe Kosovë. Në një intervistë në vitin 2010 qëndrimet e tij kulmuan me këtë deklaratë cinike: “Nëse njerëz të tjerë duan të vrasin njëri-tjetrin, atëherë jo patjetër është punë e jona që të pengojmë këtë. Nuk është as punë e jona që për këtë të vëmë në rrezik jetën e ushtarëve tanë”. Martin Schulze-Wessel kritikon edhe historianin e njohur Jörg Baberowski, i cili në të kaluarën me pyetje retorike ka vënë në dyshim tërësinë territoriale të Ukrainës, duke pyetur: “Përse duhet të përjashtohet përgjithmonë që pjesa lindore e Ukrainës të ndahet nga ajo perëndimore?”
Stephan Bierling
6.
Stephan Bierling, profesor i politikës në Universitetin e Regensburgut, në një shkrim për “Neue Zürcher Zeitung” atakon ashpër politikën gjermane për shkak të qasjes ndaj Rusisë. Esenca e shkrimit të tij: me glorifikimin Rusisë dhe egoizëm ekonomik politika gjermane u bë kolaboracioniste e logjistikës luftarake ruse. Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, kancelari Olaf Scholz, tek 100 ditë në post, bëri një kthesë të madhe në politikën gjermane: paralajmëroi një fond prej 100 miliardë euro për ushtrinë gjermane dhe furnizimin e Ukrainës me armë mbrojtëse (gjë që deri në ditën e sulmit rus Gjermania e kishte përjashtuar kategorikisht). Sipas profesorit Bierling “fjalimi i kancelarit ishte njëkohësisht një deklaratë falimentimi e politikës 25-vjeçare të Berlinit ndaj Lindjes. Në të vërtetë të gjitha demokracitë e mëdha e kanë nxitur agresionin rus: përmes naivitetit, pavendosmërisë politike dhe indiferencës morale. SHBA-të e lanë anash Europën Lindore, Trumpi e përqafoi Putinin, Britania e Madhe i pranoi oligarkët e dyshimtë rusë, Franca deshi që përmes marrëdhënies së veçantë me Kremlinin të fryjë rolin e vet në politikën e jashtme. Por asnjë shtet nuk ka një bilanc aq katastrofal sa Gjermania”. Që e majta dhe e djathta ekstreme ia mbanin anën Putinit sa herë që ai i binte ziles, kjo nuk është befasi për profesorin Bierling. “Më shumë ishte befasuese kremlinofilia e SPD-së (socialdemokratëve) dhe CDU/CSU (konservatorëve). Gjatë 23 viteve të regjimit të Putinit, socialdemokratët ishin 19 vjet në pushtet, CDU/CSU 16, prej tyre 12 vjet së bashku. Andaj këto parti e bartin përgjegjësinë kryesore për fiaskon e politikës lindore gjermane”. Bierling godet edhe bizneset gjermane. Sipas tij askush nuk e konfirmonte më shumë mungesën e parimësisë të biznesit të madh gjerman se shefi i Siemensit Joe Kaeser, i cili “aneksimin brutal të Krimesë nga Putini më 2014 e minimizoi duke e quajtur ‘një turbullirë e përkohshme’ në raportet biznesore”. Bierling thotë se duket që pasi Putini mori pushtetin të gjitha partitë në Berlin vendosën ta shkatërrojnë ushtrinë gjermane. Stephan Bierling citon Zbigniew Brzezinskin, politologun e njohur amerikan dhe këshilltarin e presidentëve, i cili më 2012 kishte shkruar: “Pa Ukrainën Rusia nuk është më perandori, por nëse e nënshtron Ukrainën dhe e fut nën kontroll, Rusia automatikisht bëhet perandori”. Duket se Putini e ka lexuar me kujdes Zbigniew Brzezinskin.
7.
Për luftën në Ukrainë nga Shkupi shkruan politologu amerikan Francis Fukuyama. Teksti i tij është botuar në revistën amerikane “American Purpose”. Fukuyama shkruan se në kryeqytetin maqedonas është duke mbajtur një kurs në “Leadership Academy for Development”. Mendimet e tij Fukuyama i ka përmbledhur në 12 teza, të cilat shkurtimisht po i sjellim këtu: Rusia po shkon drejt një disfate të qartë në Ukrainë për shkak të supozimit se marshimi do të mirëpritej në Ukrainë; shpërbërja e pozicioneve mund të ndodhë befasisht dhe të jetë katastrofale; përfundimi i luftës përmes diplomacisë është i pamundshëm për aq kohë sa nuk ndodh kolapsi i armatës ruse; Këshilli i Sigurimit sërish u tregua si i padobishëm; vendimet e qeverisë së Joe Bidenit për të mos shpallur zonë të ndalimfluturimit dhe për të mos ndihmuar në dhënien e avionëve luftarakë polakë Ukrainës ishin vendime të mira. Në një kohë të ndezjes së emocioneve qeveria reagoi me gjakftohtësi; kostoja që e bart Ukraina është tepër e madhe, por pjesa më e madhe e dëmeve po shkaktohet nga raketat dhe artileria, kundër të cilave nuk do të mund të bënin aq avionët luftarakë dhe zona e ndalim-fluturimit. E vetmja gjë që e ndalon masakrën është disfata e këmbësorisë ruse; Putini nuk e mbijeton disfatën e ushtrisë së tij; invadimi rus në Ukrainë i ka dëmtuar popullistët në mbarë botën; deri diku lufta është leksion për Kinën; mbetet të shpresohet se Tajvani do të zgjohet vetë nga gjumi dhe të shoh domosdoshmërinë për t’u bërë gati për luftë si ukrainasit; dronët turq me gjasë do të bëhen bestsellerë; një disfatë ruse do ta bëjë të mundshme “rilindjen e lirisë” dhe do të shporr atmosferën e shembjes së demokracisë globale. Fryma e vitit 1989 do të jetojë edhe më tutje, falë ukrainasve trima.
Francis Fukuyama