Që nga viti 2005 janë shkatërruar rreth 16 mijë armë ilegale, 760 nga të cilat, të premten. Sipas përfaqësuesve të Policisë, kjo është bërë me qëllim për të ofruar siguri për qytetarët.
760 armë të vogla dhe të lehta ilegale, i ka shkatërruar këtë të premte Policia, përfaqësues të së cilës treguan se nga materiali që shkrihet do të krijohen kapakë të pusetave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se procesi i shkatërrimit të armëve bëhet me qëllim për të ofruar sa më shumë siguri për qytetarët.
“Armët ilegale janë rrezik për shoqërinë tonë, janë rrezik për familjet tona, fëmijët tanë. Ato nuk krijojnë siguri, krijojnë më shumë pasiguri. Shumë jetë janë humbur për shkak të përdorimit të armëve ilegale. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë që të qëndrojnë larg nga armët ilegale”, ka thënë Hoxha.
Hoxha tha se nuk janë të rralla rastet kur armët ilegale janë përdorur gjatë rasteve kriminale.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros.
Ai tha se qëllimi i shkatërrimit të armëve është promovimi i një shoqërie paqësore, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
“Kjo kërkon një reduktim të konsiderueshëm të flukseve të paligjshme të armëve në të ardhmen tonë. Vetëm gjatë kohës që kemi qenë këtu, janë kryer dy akte dhune me armë, pa llogaritur luftërat dhe situata të tjera. Kjo tregon se armët e vogla dhe të lehta të paligjshme shkaktojnë pasiguri, dëmtojnë civilët, minojnë institucionet dhe shpesh përdoren në dhunën bazuar në gjini dhe dhunë në familje”, ka thënë Queiros.
Policia bëri të ditur se nga viti 2005 e deri tani ka shkatërruar 15 mijë e 904 armë të shkurtra dhe të gjata. Krahas kësaj, edhe 235 mijë copë municione.