Edhe pse qeveria spanjolle e qartësoi se njohja e pasaportës së Kosovës nuk nënkupton njohje të sovranitetit të Kosovës, opozita atje e ka quajtur precedent të rrezikshëm ku në të ardhmen vendet e tjera mund ta pranojnë një pasaportë hipotetike të Katalonjës. E njohës të raporteve spanjolle me vendet e Ballkanit thonë se vendimi për pasaportën mund ta nis një angazhim diplomatik me Kosovën, edhe pse njohja nuk shihet si e mundshme në këtë fazë
Forca kryesore opozitare e Spanjës, Partia Popullore, i ka kërkuar shpjegime qeverisë spanjolle për njohjen e pasaportave të Kosovës, me pretendimin se kjo mund të krijojë precedent për njohjen e pasaportave katalane në të ardhmen. Edhe pse Madridi e bëri të qartë se njohja e pasaportave nuk nënkupton njohjen e shtetësisë së Kosovës, për opozitën spanjolle, Katalonia mund të trimërohet nga ky vendim.
“Vendimi i qeverisë krijon precedentin që secili vend të pranojë një pasaportë hipotetike katalane në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e kësaj partie, transmeton “Euractiv” të martën.
Të shtunën e kaluar u konfirmua se Spanja njohu pasaportat e Kosovës, duke lejuar lëvizjen e lirë të kosovarëve edhe në këtë shtet, sikur në vendet tjera të zonës Schengen nga 1 janari 2024.
Ky vendim i qeverisë spanjolle u pa si sinjal se Spanja mund të lëvizë drejt ndryshimit të qëndrimit refuzues për ta njohur shtetin e Kosovës. Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse vendimit për njohjen e pasaportave i ka paraprirë ndonjë komunikim me autoritetet spanjolle.
Por në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Spanjës pas vendimit, thuhet se pranimi i pasaportave nuk nënkupton njohjen e Kosovës.
“Të gjitha shtetet e (Zonës) Schengen që nuk e njohin (Kosovën) e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e MPJ-së së Spanjës, Elena Aljarilla Cortezon.
Njohësi i raporteve të Spanjës me vendet e Ballkanit, Alejandro Esteso Perez, ka thënë se vendimi për pasaportën mund të shtrojë gurët e parë të një angazhimi diplomatik me Kosovën.
“Është e vërtetë tash se Spanja do të ketë vizitorë nga Kosova me pasaporta të Kosovës dhe kjo gjë është në favor të rritjes së raporteve sociale dhe kulturore mes vendeve. Sepse kjo mendoj se do të jetë korniza e parë e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, dhe në këtë raport shkëmbimet diplomatike do të mund të ndodhnin dhe ne do të mund të flisnin për modalitete të ndryshme që mund të dilnin nga kjo”, ka thënë Perez në “Interaktiv” të KTV-së.
Por Perez shton se në këtë fazë nuk është e mundshme njohja e plotë.
“Ne e kemi parë Kosovën që më shumë se një vit e ka dorëzuar aplikacionin e saj për t’u bërë anëtar i BE-së. Ky proces do të jetë i gjatë dhe Spanja do të jetë aty si një nga armiqtë e këtij rrugëtimi përderisa do të ketë dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe një zgjidhje në dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Perez.
Partitë pro-pavarësisë së Katalonjës, të cilat e mbështesin pavarësinë e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar arritën pajtim për mbështetjen e kryeministrit Pedro Sanchez edhe për një mandat.
Spanja është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që refuzon njohjen e Kosovës, vendim i cili kryesisht lidhet me kërkesat për ndarje të Katalonjës dha Baskisë. Shtetet e tjera mosnjohëse të BE-së janë: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro.
Me gjithë refuzimin për ta njohur shtetin e Kosovës, këto vende e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.