Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar lidhur me mbylljen e mundshme të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), siç ishte raportuar në muajin prill nga mediume prestigjioze amerikane.
CNN pati raportuar në burime në fund të prillit se kjo agjenci federale amerikane që është e fokusuar në zhvillimin ekonomik të shteteve në zhvillim, pritet të mbylljet si pjesë e planit të administratës së presidentit Donald Trump, për të reduktuar shpenzimet qeveritare. Kosova ka marrëveshje me këtë agjenci për projektin e baterive energjetike për të reduktuar koston e importit të energjisë. Vlera e kësaj marrëveshje është 200 milionë euro.
Sipas raportimit të asaj kohe, punonjësit e MCC-së kanë marrë një e-mail në të cilën është njoftuar për “reduktim të dukshëm” në staf dhe programe – vetëm një javë pas inspektimit të Departamentit për Efiçiencë Qeveritare (DOGE) në këtë agjenci. DOGE udhëhiqej nga Elon Musk, që u largua në fund të muajit maj.
KOHA pati dërguar pyetje në drejtim të Qeverisë atë kohë. Në përgjigjen e marrë të premten (27 qershor), Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se s’ka marrë ndonjë njoftim zyrtar.
“Lidhur me pyetjet që keni parashtruar, ju njoftojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës si palë nënshkruese e Marrëveshjes “Kompakt” nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Për raportimet për mbylljen e MCC-së pati shkruar në Facebook ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ai kishte hedhur akuza në drejtim të Qeverisë Kurti.
“Kosova është ndër vendet që do pësojë më së shumti. Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz. Tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milion dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Kështu ndodh kur qeverisin bukëpërmbysurit, të cilët duke injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit refuzuan partneritetin me SHBA – shtetin që është përgjegjësi kryesor për ekzistencën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Këta gjithashtu refuzuan të pezullojnë tarifat e importit për produktet amerikane. Kjo qeveri po punon kundër interesave tona strategjike”, pati shkruar Hoti në Facebook.
MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës e patën lansuar programin Kompakt në prill të 2024-s për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë. Prej tyre 202 milionë dollarë ishin nga SHBA-ja. Me to synohej që Kosova të kishte bateri për ruajtjen e energjisë elektrike. Në janar sivjet u organizuan një konferencë për procedurat e parakualifikimit rreth dizajnimit dhe ndërtimit të sistemeve të mëdha për ruajtjen e energjisë elektrike nëpërmjet këtyre baterive. E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se përdorimi i sistemit të baterive, të cilat do të vendosen në Ferizaj dhe në Istog, do ta ndihmojë edhe ekonominë e Kosovës.
Kjo agjenci ishte themeluar nga Kongresi në vitin 2004 nën administratën e George W. Bushit. Ajo ka shërbyer si agjenci e pavarur nga Departamenti i Shtetit. Aktualisht ka 5.4 miliardë dollarë në formë grantesh aktive në 20 shtete me buxhete jo të mëdha.