Banorë të Prishtinës dhe Obiliqit kanë vërejtur rritje të ndotjes së ajrit ditëve të fundit, të cilët si shkaktarë kryesorë po i konsiderojnë termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës. Qytetarët thonë se ndotja po bëhet më e dukshme, sidomos gjatë temperaturave të larta
Rritje të ndotjes së ajrit ditëve të fundit kanë vërejtur qytetarët e Prishtinës e të Obiliqit dhe si shkaktarë i konsiderojnë termocentralet dhe rrymimet e ajrit.
Faik Tërholli, banor i fshatit Mazgit të Obiliqit, tha se javën e fundit tymtarët e KEK-ut po ndotin më shumë se zakonisht.
“Kohëve të fundit ka qenë pak e përmirësuar gjendja, nuk ka pasur aq shumë tym të përzier me pluhur. Tash, kohëve të fundit, qe një javë e tutje, po vazhdon kështu në këtë mënyrë”, tha Tërholli.
E Musli Mjeku u shpreh se ndotja po shkaktohet edhe nga moti i nxehtë.
“Mua ma merr mendja që për shembull sikur sot, që është dita shumë e nxehtë, shumë zheg, duhet me qenë ndotja më shumë. Të flitet për ndotjen duhet të bëhen disa analiza, të cilat ne nuk mund t’i bëjmë”, tha Mjeku.
Mexhit Krasniqi nga Breznica e Obiliqit theksoi se niveli qendror i pushtetit nuk po e adreson problemin e ndotjes nga termocentralet në Obiliq e si rrjedhojë po e pësojnë qytetarët.
“Probleme ka çdoherë për shkak të ajrit, nuk është ndërmarrë diçka prej nivelit qendror që të eliminohen sadopak. Po kryesisht sezonin e vjeshtës ka erëra më shumë, po vërehen edhe në shëndetin e njerëzve, ndikon direkt. Në fakt, për nga ajri, është komuna më e ndotur në shtetin e Kosovës, dashtë zoti që të ndërmerret diçka që së paku të eliminohet”, tha Krasniqi.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se ndotja nuk shkaktohet vetëm nga tymi që nxjerrin oxhaqet e KEK-ut.
Në një përgjigje, nga ky institut theksuan se ndotja më e madhe e ajrit është gjatë dimrit, mirëpo edhe në këtë kohë ka burime të shumta.
“Edhe pse ndotja e ajrit është më e theksuar gjatë muajve të ftohtë, burime potenciale të ndotjes vazhdojnë të jenë prezente edhe në këtë periudhë. Ndër to përfshihen: Trafiku rrugor i pakontrolluar, djegia ilegale e mbeturinave, ndërtimet e vazhdueshme pa kontroll, pluhuri nga rrugët e papastra, aktivitetet bujqësore dhe industriale”, u tha nga IKSHPK.
Lidhur me ankesat e qytetarëve, Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje që nga e hëna.