Arbëri

Qytetarët në Prishtinë ankohen për trotuaret me borë

Reshjet e borës këtë fillimjavë, i dhanë pamje të bukur Prishtinës. Por, bashkë me hijeshinë, bora ka sjellë edhe problemet e zakonshme për qytetarët.

Vështirësitë për të lëvizur nëpër shtresat e borës dhe akullit.

Në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në kryeqytet, janë paraqitur disa pacientë me lëndime, si pasojë e rrëshqitjeve.

Qytetarët kërkojnë largimin e borës dhe akullit nga trotuaret, pasi thonë se rrezikohen nga lëndime të ndryshme.

Kompanitë e kontraktuara nga komuna kanë pastruar disa rrugë dhe trotuare, por ka të tilla që kanë mbetur me borë dhe akull.

Edhe në ato hapësira që është pastruar, bora nuk është larguar tërësisht. Që nga viti 2010, ekziston një rregullore në komunë, e cila obligon pronarët e lokaleve dhe banorët të largojnë borën nga trotuaret para hyrjes së objekteve të tyre.

Megjithatë, komuna thotë ajo nuk respektohet nga të gjithë. Pavarësisht kësaj, rregullorja nuk ka pësuar ndonjë ndryshim gjatë 8 vjetëve.

“Ndërmarrjet e ndryshme dhe qytetarët, janë të obliguar që, gjatë pastrimit të sipërfaqeve, ta grumbullojnë borën dhe akullin në skaj të trotuarit, ashtu që kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve ta largojnë pastaj. Ka shumë pronarë që e respektojnë këtë nen, por jo të gjithë. Kësisoj, ka raste që kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, angazhohen edhe nëpër trotuare, kur kemi sasi të madhe të borës”.

Tahiri u ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të lokaleve, shtëpive dhe banesave, që të pastrojnë hapësirat para hyrjes së tyre.