Arbëri

Qytetarët presin autobusët pa ulëse e pa mbrojtje nga shiu

Elda Islami

Pritja e autobusëve në Prishtinë nga qytetarët e sidomos të moshurit po bëhet e vështirë për shkak të mungesës së vendeve adekuate për t’u ulur e për t’u mbrojtur nga reshjet. 

Teksa pret linjën 4 të Trafikut Urban në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Bregun e Diellit, një i moshuar thotë se duhet të bëjë zgjidhje.  

“Nuk ka ulëse fare, në asnjërën anë. Në shi e në borë, si po mundemi, nuk kemi mbrojtje nga shiu. Po e kemi problem duke pritur, po presim shumë”, ka thënë ai.

Mungesë të pritoreve nuk ka vetëm në këtë rrugë. Gjendja e njëjtë është edhe në disa lokacione, si në lagjen “Arbëria” dhe te Xhamia e Llapit.

Qytetarët kërkojnë nga Komuna zgjidhje për këtë, pasi thonë se pritjet ndonjëherë shkojnë deri në një orë.

“Po e kemi problem shumë. Duhet me pritë nga 20 minuta, ndonjëherë 30 minuta, ndonjëherë edhe 1 orë. Nganjëherë vijnë dy përnjëherë, e ndonjëherë nga një orë nuk vijnë. Meqë i kanë lajmëruar çdo 15 minuta me pas, duhet me ardhë, sidomos për ne të vjetrit, me mos prit kaq gjatë”, ka thënë një qytetare. 

KOHA tash e disa ditë ka tentuar të marrë përgjigje nga Komuna lidhur me këtë çështje, por zyrtarët komunalë nuk janë lajmëruar në telefon dhe nuk janë përgjigjur as në pyetjet e dërguara me e-mail deri në publikimin e kësaj kronike.