Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qytetarët thonë se Prekazi është “Meka dhe Medina” e kombit shqiptar

Prekaz

Krahas liderëve shtetërorë e politikë, kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz iu drejtuan për homazhe edhe mijëra qytetarë. Disa prej tyre bënë kilometra rrugë me biçikletë, e disa edhe udhëtuan nga Turqia. Të gjithë e vlerësuan lart sakrificën e Jasharëve për lirinë e Kosovës

Uniformën e UÇK-së që babai i saj dikur e pati bartur në luftë, Sadete Ferizi të premten e veshi enkas për t’i nderuar të rënët në Prekaz.

Teksa bëri homazhe pranë varreve të Jasharëve në Prekaz, ajo tha se kësisoj e ndien më mirë peshën e sakrificës së atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nën petkun e kësaj uniforme ndihem e emocionuar dhe privilegjuar thellësisht. Kjo uniformë i përket babait tim, i cili e ka përdorur kur ka qenë ushtar i UÇK-së. Ardhja jonë nuk është vetëm një vizitë historike, por një përkulje e respekt, para varrit të Adem Jasharit”, ka thënë Ferizi.

Respektin për Jasharët e shprehu edhe një ish-ushtar i UÇK-së.

“Jemi shumë krenarë dhe është një vend që meriton për me vizitu. Ashtu siç shndrit dielli këtë ditë, edhe ky vend është rreze dielli për ne. Prekazi përfaqëson zemrën e shqiptarisë, është Meka dhe Medina e këtij kombi”.

E Raif Xhikolli mori rrugë me biçikletë nga Peja për në Prekaz, për ta nderuar sakrificën e familjes Jashari.

“Meqë jam pasionant i biçikletës, sot shpreha dëshirën t’i bëj diku rreth 60 kilometra nga Peja, të udhëtoj deri në Prekaz. Këtë iniciativë e mora për shkak që ia vlen kjo sakrificë, sepse çfarë kanë bërë familja Jashari për Kosovën, kjo është gjëja më e vogël që mundemi me bë ne për familjen Jashari”, është shprehur Xhikolli.

Vizitë te varret e Jasharëve, krahas qytetarëve të Kosovës, bënë edhe ata nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e edhe Turqia.

“Dita është e veçantë për neve, sepse e kemi vizitu familjen e Adem Jasharit. Kjo është një vulë e lirisë dhe jemi krenarë sa të është Kosova e pavarur”, ka thënë vizitori nga Turqia, Serdar Vardal.

Më 5 mars të 1998-s, forcat serbe sulmuan kullën e Jasharëve. Rezistenca e tyre zgjati deri më 7 mars, kur u shpallën të vrarë 56 anëtarë të familjes, mes tyre shumë gra e fëmijë.