Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qytetari ankohet se i erdhi fatura e rrymës 476 euro për një muaj, ndonëse jeton në banesë rreth 90 m2

Fatura rryma

Faturat e larta të energjisë po e shqetësojnë Aziz Kastratin nga lagjja “Prishtina e Re”, i cili thotë se, ndonëse shpenzimi ka qenë i njëjtë, faturat kanë ndryshuar ndjeshëm nga muaji në muaj. Në KESCO thonë se është bërë korrigjimi i një fature për këtë konsumator.

Vetëm për muajin janar, Aziz Kastrati pagoi 476 euro për energji elektrike.

Kastrati, i cili jeton vetëm me gruan në lagjen “Prishtina e Re”, në një banesë rreth 90 metra katrorë, ankohet se diferenca e faturave nga muaji në muaj është shumë e madhe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në muajin dhjetor 2025, Kastratit fatura i kishte ardhur 218 euro, ndonëse ai thotë se kishte qëndruar vetëm 10 ditë në banesë.

E për muajin shkurt, fatura ishte 122 euro, ndërsa për muajin mars 62 euro.

“80-90 metra katrorë. Unë jetoj vetëm me gruan, dy persona jemi. 218 euro e marr pensionin, ndërsa rryma më erdhi 700 euro për 38 ditë. A ka diku në botë tri pensione të mos mjaftojnë për të paguar rrymën?” - tha Kastrati

Pavarësisht ankesave në institucionet përkatëse, Kastrati thotë se nuk ka pasur rezultate dhe është detyruar që faturën e energjisë elektrike t’ia paguajë djali.

“Kam qenë në KEDS, më kanë thënë se do të dalin ta shikojnë, por tash e tre muaj nuk kanë ardhur fare. Kam shkuar edhe te avokati i popullit për t’u ankuar; më mbajtën pak dhe më thanë të lidhem me KEDS-in për pagesë me këste, edhe ata më mbajtën dhe më thanë ta paguaj. Në fund, djali ma ka paguar, sepse unë me 218 euro pension nuk mundem. Edhe pse ai ka kredi dhe pesë anëtarë në familje, prapë ma ka paguar", tha ai. 

Në KESCO kanë thënë se rasti është shqyrtuar nga ta dhe konsumatorit i është bërë korrigjimi i faturës për një muaj.

“Ankesën nga konsumatori e kemi pranuar për faturën e fundit më datë 2 shkurt të këtij viti. Rasti është përcjellë në departamentet përkatëse te operatori i rrjetit dhe, pas shqyrtimit, ankesa e tij është aprovuar, me ç’rast është realizuar korrigjimi i faturës në vlerë prej 41 euro", ka thënë zëdhënësja e KESCO-s, Marigona Rashiti. 

Por Kastrati thekson se KESCO i ka hequr vetëm 41 euro nga fatura për muajin shkurt, ndërsa për të tjerat nuk ka marrë përgjigjeje.

Ndërsa nga Institucioni i Avokatit të Popullit në një përgjigje për KOHËN lidhur me këtë rast kanë thënë se nuk kanë mundur ta trajtojnë atë pasi që nuk ka qenë në kompetencë e tyre.