Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se do të mbyllen të gjitha vendpunishtet në kryeqytet. Vendimi ka ardhur pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.
Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se në mëngjes ka ftuar drejtorët e kryeqytetit dhe ka marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në territorin e komunës së Prishtinës”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky komision, i përbërë nga ekspertë të fushës së urbanizmit, inxhinierë të licencuar, përfaqësues të emergjencave, do të fillojë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Kryeqytet”, ka shkruar ai.
Tutje ka deklaruar se pas pranimit të këtij raporti të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë.
“Ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit! Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës. Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin”, ka shkruar ai.
Sot gjatë ditës Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime ndaj zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Prishtinës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Këto hetime lidhen me shembjen e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, për çka është iniciuar rasti me qëllimin e verifikimit nëse veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve komunalë përbëjnë elemente të veprës penale.
Pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, ekipet e KOSTT dhe kompanisë së ujësjellësit rajonal KRU Prishtina, kanë dal në vendin e ngjarjes. Ata të KOSTT-it kanë nisur punimet për rikthimin e energjisë elektrike.
Pezullohen nga puna dy inspektorë dhe një zyrtar pas shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti”
Pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, Komuna e Prishtinës ka pezulluar nga puna dy inspektorë të zonës dhe zyrtarin përgjegjës për lëndën.
Në një postim në Facebook, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se punishtet ndërtimore duhet t’i nënshtrohen inspektimit të rreptë dhe të vazhdueshëm nga inspektorati komunal, në mënyrë që të garantohet siguria e punëtorëve, qytetarëve dhe cilësia e punimeve sipas projektit të pranuar.
“Pas ngjarjes së djeshme në punishten ndërtimore në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, kam ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve komunal. Janë pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës ku ka ndodhur rasti, si dhe zyrtarin përgjegjës për lëndën. Çdo neglizhencë në këtë drejtim është e patolerushme. Përveç procedurave që do të zhvillohen nga Komisioni Disiplinor i Kryeqytetit, jemi të hapur për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në kuadër të hetimit të nisur për këtë rast, të cilin e kam kërkuar menjëherë dje dhe e mirëpres fillimin e tyre”, ka shkruar ai.
Tutje ka deklaruar se njëkohësisht edhe kompanitë private të ndërtimit duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për respektimin e standardeve të sigurisë dhe kushteve të punës.
“Çdo shkelje nga ana e tyre duhet të përballet me masa të rënda ligjore. Zero tolerancë”, ka shkruar ai.