Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama konfirmon bashkëqeverisjen me PDK-në

Perparim Rama

Një ditë pasi LDK-ja mohoi koalicionin me PDK-në në kryeqytet, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar finalizimin e marrëveshjes së bashkëqeverisjes me disa parti, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës. Rama ka thënë se do të vazhdojë ta përkrahë LDK-në

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar finalizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje me disa subjekte politike, përfshirë Partinë Demokratike, ndonëse subjekti politik nën petkun e të cilit garoi, e mohoi koalicionin ndërpartiak.

Rama në një postim në Facebook ka thënë se do të vazhdojë përkrahjen ndaj LDK-së edhe për zgjedhjet e 7 qershorit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ashtu siç e kam përkrahur pa kusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës”, ka shkruar Rama.

Ai një ditë më parë ka emëruar nënkryetare të Komunës, Besianë Musmuratin nga  PDK-ja, e cila në mandatin e parë shërbeu si drejtoreshë për Arsim. 

Nga pozita e nënkryetarit u largua, Shkëmb Manaj. Ai tha se nuk mund të vazhdojë të ketë raport të mirë me ata që nuk kanë raporte të mira me partinë e tij, LDK-në.

Largimi i tij u bë pasi Rama shkarkoi disa drejtorë të LDK-së në Prishtinë, të afërt me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun si Sokol Havollin e Sibel Halimin të cilët i ka zëvendësuar me anëtarë të PDK-së. 

Por Halimi në një reagim në rrjetet sociale ka thënë se ajo nuk është shkarkuar pasi ka shkruar se që në dhjetor 2025 kishte paralajmëruar përmbylljen e angazhimit të saj në Drejtorinë e Kulturës.
Të martën ka shkarkuar Samir Shahinin nga posti i drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Megjithatë për emërimet nga LDK-ja në pozita udhëheqëse në kryeqytet Rama thotë se janë bërë konform propozimeve të ardhura nga Kolegjiumi i përbërë nga 5 degët të LDK-së në Prishtinë.
Për raportet me kryetarin e Prishtinës, ka folur të martën edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së dhe se partia nuk po merret me çështje lokale në këtë fazë.

“LDK-ja nuk ka bërë marrëveshje me PDK-në. Kam komunikim edhe me Bedri Hamzën i cili ka thënë se nuk kemi marrëveshje... Ato janë marrëveshje të kryetarit të komunës me partitë tjera politike”, ka thënë ai.

E sh-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka thënë se LDK-ja po mohon koalicionin me PDK-në për shkak se kjo mund të përdoret nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

“LDK-ja e ka mohuar për dy arsye (koalicionin). E para sepse nuk ka qenë LDK-ja që e ka negociuar këtë koalicion, por ka qenë kryetari Rama. Dhe duke qenë se po futemi në zgjedhje nacionale, unë e di se Vetëvendosja e përdor çdo gjë që e ka për me kriju përshtypjen që LDK-ja e PDK-ja janë bashkë sepse kjo i konvenon për garën në nivelin nacional kur thotë se krejt janë njëjtë veç na jena ndryshe”, ka thënë Sejdiu.

Dega e LVV-së në Prishtinë ka reaguar për bashkëqeverisjen në kryeqytet, duke thënë se ky koalicion është dëshmi e qartë se politika e vjetër po rreshtohet për t’i ruajtur interesat e përbashkëta.

“Ne e shohim këtë koalicion si një bashkim vetëm interesash që nuk ka të bëjë as me qytetarët e as me zhvillimin e Prishtinës. Përkundër përplasjeve të tyre të mëhershme, pasi qeverisën 3 vjet, u ndanë për interesa ndërtimesh, e lanë kryeqytetin në mbeturina e gropa. Sot ata po dëshmojnë se dallimet kanë qenë vetëm retorike, për t’u bërë bashkë te pushteti dhe sidomos interesat”, thuhet në reagim.

Në mandatin e parë, Rama ka pasur koalicion me PDK-në, por i cili ishte shkëputur rreth një vit para zgjedhjeve të fundit lokale.