Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sulmuar skemën britanike për qendrat e kthimit të emigrantëve. Sipas tij, plani britanik për të dërguar në “qendra kthimi” në shtetet e treta, migrantët e refuzuar, tregon se Britania pas largimit nga Bashkimi Evropian “është në një vend shumë të errët”.
Siç ka shkruar “The Guardian”, Rama ka thënë në intervistën e parë për mediat ndërkombëtare se një ide e tillë e Mbretërisë së Bashkuar për “të kërkuar vende për t’i larguar emigrantët” do të ishte e paimagjinueshme një dekadë më herët. Por sipas tij, kjo mbetet në përputhje me ndryshimin e diskursit publik në Britani që nga dalja prej BE-së.
Muajin e shkuar, kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë një vizite në Shqipëri bëri të ditur se skema për “qendrat e kthimit” do të përfshijë shtetet e treta në të cilat do të bëhet përpunimi i kërkesave të njerëzve të cilëve u është refuzuar azili e që kanë shteruar rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është një nga ato gjërat që 10 vjet më parë thjesht nuk do të ishte e imagjinueshme... që Britania të kërkojë vende për t’i larguar imigrantët”, ka thënë ai nga Tirana. “Fakti se sot jo vetëm që është e imagjinueshme, por po ndodh, nuk është për shkak se Keir Starmer ose Rishi Sunak (ish-kryeministri) po bëjnë diçka të jashtëzakonshme; është sepse shteti gjendet në një vend shumë të errët”.
Rama ka shtuar tutje se “80 për qind e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale të diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që para Brexitit, ishin të paimagjinueshme, tërësisht qesharake dhe krejt të turpshme”.
Shqipëria dhe Britania kanë pasur raporte më të tensionuara qëkur u shtuan akuzat ndaj imigrantëve shqiptarë që “pushtuan” brigjet britanike.
Starmer gjatë vizitës në maj bëri të ditur se po zhvillohen bisedime “me një numër shtetesh” për këto qendra. Por Rama në atë konferencë ia bëri të ditur se Shqipëria s’do të jetë pjesë e skemës.
Rama megjithatë ka mbrojtur vendimin për skemë të ngjashme me Italinë. Sipas tij, dallimi është te lidhja “shumë speciale” mes dy shteteve.
“Praktikisht jemi një shtet i përbërë nga dy shtete të pavarura... Italia ka qenë për ne në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita kur dolëm prej dreqit të Koresë së Veriut të Evropës”, ka shtuar ai. “Italinë e kemi si pikë të dobët, prandaj kur na kërkon diçka, ne i themi po, pikë”.
Rama ka thënë se beson që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian deri më 2030. Ai ka thënë se procesi i zgjerimit ka ndryshuar rrënjësisht, që nga nisja e luftës në Ukrainë. E ka vlerësuar si pozitive për Evropën zgjedhjen e Donald Trumpit president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mendoj se kur Trumpi thotë që Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, unë mendoj se ai po e flet vetëm gjysmën e të vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Evropën po ashtu, që ta zgjonte Evropën”, ka thënë Rama.
Për kërkesën britanike për qendra të imigrantëve të paligjshëm, autoritetet në Kosovë kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar.