Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: PDK-ja s'ka vija të kuqe për askënd

Rrahman Rama

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahman Rama, ka deklaruar se partia që përfaqëson nuk ka vija të kuqe për askënd derisa ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 7 qershor. 

Ai ka shtuar se ndonëse PDK-ja synon të garojë e vetme, mbetet e hapur për bashkëpunime të mundshme me partitë e tjera.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“PDK-ja ka qenë e gatshme në çfarëdo date e çfarëdo rrethanash për zgjedhjet. PDK-ja hyn si çdoherë në zgjedhje, tani janë këto parapërgatitjet, realisht në këto dy vjetët e fundit na ka rënë shumë shpesh të mbajmë zgjedhje por sido që të jetë ky është realiteti. PDK-ja gjithmonë ka qenë dhe do të jetë e hapur, po mundohemi të kemi figura të reja brenda listës sonë, PDK-ja garon e vetme por nëse ka gatishmëri nga partitë e tjera, ne do të jemi të hapur. Gjithmonë kemi thënë se nuk kemi vija të kuqe për askënd”, ka thënë ai. 

Rama ka konsideruar që gjatë të gjithë procesit të dështuar për zgjedhjen e presidentit ka pasur lojëra nga partia në pushtet. Sipas tij, gjatë gjithë procesit ka munguar seriozitet dhe konkretizimi i diskutimeve. 

“Pas takimit të parë që Hamza ka pasur me Kurtin, e kam besuar që do të vijmë në këtë situatë ku jemi. Nuk kemi parë gatishmëri, mënyra e komunikimit përmes mesazheve për në parti serioze nuk është realisht, ka përdorur edhe emra të familjes Jashari, por po kërkon një marrëveshje në politikë kërkohet kompromis. Loja ka qenë që kush kujt po ja lë kilen që themi ne popullorçe. Nuk kemi pasur një marrëveshje serioze, krejt këto kanë qenë lojëra gjatë këtij procesi. Hajde ulemi diskutojmë, por siç them unë. Duhet të jemi shumë më seriozë, më konkretë”, është shprehur ai. 

Ish-deputeti i PDK-së gjithashtu theksoi se roli i opozitës është të sfidojë pushtetin dhe jo ta mbështesë atë, duke shtuar se Kosova do të duhej ta kishte zgjedhur presidentin pa shkuar në zgjedhje, por tani vendi tashmë ndodhet në një fazë të re zgjedhore.

“Roli ynë është për ta sfiduar pozitën. Nuk ka asnjë parti opozitare në botë që e rehabiliton pushtetin, por e sfidon. Kosova për mendim timin është dashur ta ketë presidentin, nuk është dashur të shkojë në zgjedhje. Tani jemi në fazë zgjedhore, ka përfunduar ajo periudhë”, ka deklaruar Rama. 

Derisa ka folur për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Rama ka konsideruar se qeveria aktuale nuk ka qenë aktive sa duhet në lidhje me këtë proces. 

“Nëse ata do të dënohen, do të dënohet Kosova. Kemi përgjegjësi për të ngritur zërin për atë proces që të jetë transparent. Kam pritur që Qeveria aktuale do të bëjë shumë më shumë për ata njerëz që janë atje, por fatkeqësisht nuk e kemi parë atë gatishmëri dhe nuk kanë qenë aktivë realisht sa duhet në raport me këtë proces. Nganjëherë edhe inatet politike duhet t’i lëmë anash”, ka thënë ai.